
Familjari i të aksidentuarve në Prrenjas, ka treguar momentin e tmerrshëm.
Ai rrëfen se si një makinë me shpejtësi të lartë mori para katër të afërmit. “Erdhi si kamikaz, u bë katastrofë, të plagosurit njëri mbi tjetrin”, kujton familjari për Top Channel.
“U ula të pija një kafe sa të vinte dhëndri. Më tha do pres gjyshen dhe do ikim te motrat. Sa hipi në makinë, vjen një Golf me shpejtësi, direkt makina u spostua dhe i mori para të katërt këta. Katastrofë çfarë të shikoje, njëri përmbi tjetrin. Si ato që bëjnë kamikazët. Nuk ka mundësi të ketë qenë defekt i makinës, ka qenë i pirë. Ka pasur aq shpejtësi, mbi 200 km në orë. U mblodhën shumë njerëz, erdhi ambulanca. Vajza e madhe është operuar në Tiranë, e vogla ka këmbën në allçi. Turp i Zotit që në Librazhd nuk kishte as një fasho”, tha ai.
Ndërsa e moshuara e cila ishte mes 6 familjarëve që u përplasën nga, shoferi i dehur, ka dalë nga spitali i Traumës ku po merrte trajtimin mjekësor pas aksidentit të rëndë.
Ajo tregoi për Top Channel sesi ndodhi ngjarja e rëndë kur makina tip “Gol” e drejtuar nga Jetmir Daci përplasi atë së bashku me familjarët e saj.
“Këmbën e kam në allçi, brinjët dhe duart më janë dëmtuar. Kishte një ditëlindje çupa e vogël. Shkuam atje ne, sa u takuam ndodhi ajo që ndodhi, nuk mbaj mend më gjë prej aty. Erdhi i pirë ai, këta thonë kështu, po ku e pashë unë, se makina më kishte zënë sipër edhe mua edhe vajzën”, u shpreh e moshuara.
Në testin e bërë rezultoi se 44-vjeçari ka qenë i dehur në timon në nivelin 0.40 mg/l në momentin që ka përplasur familjarët, të cilët aktualisht po marrin ndihmën mjekësor në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa njëra prej vajzave 23-vjeçare ka përfunduar në koma.
Pavarësisht aksidentit të rëndë ku mbetën të plagosur tre vajza, babai dhe gjyshja e tyre, shoferi po hetohet në gjendje të lirë.
Lini një Përgjigje