TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Qershor 2024, 07:42

Ekzekutimi i recepsionistit të hotel ‘Greccia’, vijojnë kërkimet për trupin në aksin Dhërmi-Himarë; lëvizjet e autorit pas vrasjes

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutimi i recepsionistit të hotel ‘Greccia’, vijojnë

Recepsionisti i hotel ‘Greccia’ në Dhërmi, Eraldo Nevruzi, dyshohet se është ekzekutuar nga bashkëpronari i hotelit, Geraldo Shehu. Trupi i viktimës nuk është gjetur ende, ndërsa kërkimet gjatë pasdites së djeshme nuk kanë pasur asnjë rezultat.

Forcat policore vijojnë sot me kërkimet në aksin Dhërmi-Himarë, ky dyshohet se Shehu pasi e vrau recepsionistin 31-vjeçar, trupin ia ka hedhur në këtë aks. Gerald Shehu, 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli, dyshohet se është autor i krimit të rëndë, i cili rezulton bashkëpronar i hotel ‘Greccia’ së bashku me vjehrrën e tij Gentjana Nino.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas mesnatës së të mërkurës, 6 qershor, ndërsa ngjarja u zbulua vetëm pasi në një prej dhomave në hotel ku është vrarë 31-vjeçari janë gjetur njolla gjaku. Pas vrasjes, 43-vjeçari dyshohet se ka mbledhur trupin me një çarçaf, e ka zhdukur dhe është larguar në drejtim të Greqisë.

Si ndodhi ngjarja?

31-vjeçari Eraldo Nevruzi është ekzekutuar në brendësi të një dhome hoteli në Dhërmi. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është identifikuar nga policia e Vlorës si 43-vjeçari Gerald Shehu.

Të dy personat kanë qenë në brendësi të hotelit “Greccia” në Dhërmi kur dyshohet se janë konfliktuar. Gerald Shehu ka nxjerr armën dhe dyshohet se e ka goditur me një plumb në kokë. Më pas e ka mbështjellë trupin me çarçaf dhe e ka futur në brendësi të makinës së tij.

E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së hotelit. 43-vjeçari më pas është larguar me automjetin tip Audi A8 në drejtim të Greqisë me targa angleze. Autori ka hedhur trupin e viktimës diku përgjatë itinerarit në drejtim të Greqisë dhe më pas është futur në territorin grek.

Policia ka marrë informacione nëpërmjet sistemit TIMS për lëvizjen e 43-vjeçarit dhe ka nisur kërkimet falë edhe bashkëpunimit më shtetin grek.

Pas disa orëve nga ngjarja në fjalë është arrestuar në aeroportin e Korfuzit 43-vjeçari Shehu teksa kishte prerë biletat për të ikur në drejtim të Anglisë.

Automjeti i autorit është gjetur në lagjen nr. 4 Sarandë. Pas arrestimit për autorin po punohet për ekstradimin e tij. Pistat të cilat dyshohet se ka ndodhur ngjarja në fjalë janë konflikt i çastit si dhe prishje e pazareve të drogës.

Viktima dhe autori kishin njohje në Angli ku dyshohet se mund të jenë përfshirë në botën e krimit. 31-vjeçari Eraldo Nevruzi kishte një javë që kishte filluar punë në hotelin në fjalë.

Recepsionistja e cila ndërroi turnin me të një ditë më parë, Paola Spahiu thotë se ishte djalë i lëvizshëm teksa nuk di asgjë rreth ngjarjes.

Sipas saj, një javë më parë Eraldo Nevruzi ka kërkuar punë duke filluar normalisht teksa nuk di çfarë lidhje ka patur me pronarin e hotelit.

Policia e Vlorës ka vazhduar përgjatë gjithë kohës kërkimet në zonën e Dhërmiut dhe Vunoit, por edhe përgjatë fshatrave të bregdetit. Gerald Shehu ishte dhëndri i pronarit të hotelit bashkëpronar në njësinë e biznesit. Në automjetin e autorit nuk është gjendur arma e zjarrit.

Lini një Përgjigje