Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e Rexhep Ismailit mbrëmjen e djeshme në Sarandë.
Një grup prej 5-6 të rinjsh ka shkuar në orën 21:28 në lokalin e Rexhep Ismailit, i cili ndodhet pranë karburantit të tij. Personat që shkuan aty, kishin konflikt me një banor të fshatit Gjashtë, për çështje pronësie.
Në momentin qe grupi i personave ka shkuar në vendngjarje, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në një tavolinë në verandën e lokalit me 66-vjeçarin Ismaili dhe 3 persona të tjerë.
Menjëherë ka nisur një debat verbal dhe më pas fizik me sende të forta mes palëve. Autorët dyshohet se nuk kishin qëllim konfliktin me Rexhep Ismailin.
Pasi janë goditur me sende të forta, Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov” duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve.
Nga ana e grupit tjetër, ka pasur kundërpërgjigje me pistoletë, duke e qëlluar një herë me plumb në kokë Ismailin, i cili ka mbetur i vdekur në vend.
Policia ka shoqëruar 5 persona pas kësaj ngjarje, që priten të merren në pyetje.
Në reagimin zyrtar, policia konfirmoi se autori i dyshuar është identifikuar si Lulzim Tabaku, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë për kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe të zonës përreth, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Policia po ushtron gjithashtu kontrolle në spitalet rajonale dhe klinikat private për lokalizimin e personit të plagosur, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.
Lini një Përgjigje