
Gjykata e Lezhës pritet të japë këtë të mërkurë vendimin për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur më 19 prill 2023 në Shëngjin. Seanca gjyqësore është caktuar të zhvillohet në orën 14:00 dhe konsiderohet një nga çështjet më të rëndësishme penale të trajtuara në këtë gjykatë gjatë viteve të fundit.
Më 3 mars, Prokuroria e Lezhës paraqiti pretencën përfundimtare, duke kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Saraivën. Organi i akuzës e konsideron të provuar përfshirjen e tij si ekzekutor në vrasjen e Nikulajt, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga ana tjetër, vetë i pandehuri ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdo përfshirje në këtë ngjarje, duke kundërshtuar akuzat gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Sipas dosjes hetimore, ngjarja ndodhi brenda hotelit “Coral” në Shëngjin, në pronësi të viktimës. Ardian Nikulaj ishte i ulur në ambientet e lokalit kur një person i maskuar, i pajisur me skafandër, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje me armë zjarri, për t’u larguar më pas nga vendi i ngjarjes. Hetimet kanë ngritur dyshime se autori ka vepruar i organizuar dhe me mbështetje logjistike.
Prokuroria ka ngritur pretendimin se vrasja është porositur nga Edmond Haxhia, i cili jeton në Mbretërinë e Bashkuar, për motive gjakmarrjeje. Në këtë çështje përmenden edhe katër shtetas britanikë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në realizimin e krimit, megjithëse roli konkret i secilit prej tyre mbetet pjesë e hetimeve dhe proceseve të tjera ligjore.
Sipas autoriteteve, vrasja e Nikulajt lidhet me një konflikt të hershëm mes familjes së tij dhe fisit Lekstakaj, i nisur që në vitin 1997, konflikt që ka prodhuar një zinxhir hakmarrjesh dhe disa viktima ndër vite. Ky motiv mbetet një nga pistat kryesore të hetimit të paraqitur nga organi i akuzës.
Lini një Përgjigje