
Xhino Ago dhe Kujtim Pisha janë paraqitur sot në Gjykatën e Elbasanit, ku do iu caktohet masa e sigurisë si bashkëpunëtorë në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan.
Xhino Ago, ortaku i viktimës akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim ndërsa Kujtim Pisha, roja i Karburantit të Mëhallës akuzohet për “Moskallëzim i krimit”. Gjatë mbërritjes së dy të dyshuarve në gjykatë, zona është rrethuar nga forca të shumta policore.
Prokuror i kësaj çështje është Gjergj Ceka ndërsa gjyqtar Elis Dine.
Ndërkohë, lidhur me Nevzat Spahon, po ashtu i prangosur, nga verifikimet në sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore nuk rezulton që Prokuroria e Elbasanit të ketë depozituar një kërkesë për caktim mase sigurimi.
Në mars të vitit 2023, Mëhalla i ka shitur Agos kompaninë “Albania Car Agency”, e cila ofron shërbime të qirasë së automjeteve dhe taksive. Më 24 prill 2025, sipas të dhënave të QKB-së, Mondi Mëhalla ka themeluar zyrtarisht kompaninë “El Taxi shpk”, me të njëjtin objekt aktiviteti. E njëjta markë biznesi është reklamuar më herët edhe nga Xhino Ago në rrjetet sociale, pavarësisht se ligjërisht nuk figuronte më ortak me Mëhallën.
Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim.
Lini një Përgjigje