TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Dhjetor 2025, 09:20

Lëviznin të armatosur, arrestohen dy të rinj në Tiranë; sekuestrohen 4 armë zjarri dhe municion luftarak

Shkruar nga Pamfleti

Lëviznin të armatosur, arrestohen dy të rinj në Tiranë;

Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi qarkullonin me armë zjarri në automjet. Policia ka sekuestruar 4 armë zjarri.

Njëri prej tyre rezulton i dënuar më parë për krime kundër personit. U arrestuan: Ilir Dushku dhe Bjorli Xhabrahimi.

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Hunter”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe lëndëve narkotike.  

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 1.    

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 2 armë gjahu, 1 armë e ftohtë, municion luftarak dhe lëndë narkotike.  Vihen në pranga 2 shtetas që qarkullonin me automjet, me armë me vete, njëri prej tyre i dënuar më parë për krime kundër personit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hunter”. 

Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u arrestuan shtetasit:  
I. D., 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe  B. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë. 

Këta shtetas u kapën gjatë operacionit, në Mjull Bathore, Tiranë, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën  dhe sekuestruan ⁠1 armë gjahu teke dhe 29 fishekë arme gjahu që i posedonte shtetasi I. D. dhe një armë tjetër gjahu që e posedonte shtetasi B. Xh.  

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 armë të ftohtë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia. 

Lini një Përgjigje