
Pasditen e së hënës në Novoselë të Vlorës u ekzekutua me breshëri automatike 30-vjeçari Kristian Marku.
Marku u qëllua teksa ndodhej në automjetin e tij duke udhëtuar në drejtim të Vlorës. Policia po heton ngjarjen, ndërsa vëmendja e grupit hetimor është te përplasjet që fisi i viktimës ka pasur me një tjetër fis, atë të Reçëve.
Gazetari Igli Çelmeta në rubrikën ‘Opinion’ në News24 tha se autorët dyshohet se kanë qenë tre persona dhe se ata e kanë ndjekur objektivin nga Tirana deri në afërsi të Vlorës, ku dhe kanë kryer atentatin. Sipas gazetarit, Marku dyshohet se është nxjerrë në pritë. Ai shton se policia po heton edhe pista të tjera, përpos hakmarrjes.
“Kristian Marku u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në autostradën Fier-Vlorë. 30-vjeçari ishte nisur nga Tirana për në Vlorë dhe në fshatin Novoselë i është bërë atentat. Dyshohet se kanë qenë tre persona që i kanë bërë atentat dhe ata e kanë ndjekur nga Tirana. Në drejtim të Kristian Markut janë qëlluar 12 fishekë, ku 3 kanë qenë fatale për të riun. Është enigmë pse 30-vjeçari shkoi në Vlorë.
Ka dyshime se mund të jetë nxjerrë në pritë nga persona të tjerë. Ka qenë i vetëm në makinë dhe i paarmatosur. Celulari është në duart e grupit hetimor. Marku ka qenë në kërkim, pasi më 2023 dyshohet se ka qëlluar ndaj Saimir Reçit.
Ngjarja është e rëndë për policinë, pasi ky person ishte në kërkim dhe lëvizte me makinë në Tiranë, Rrëshen a Vlorë. Policia po heton edhe pista të tjera, përpos hakmarrjes. E kishte mbiemrin të ndryshuar, për shkak se kishte probleme me drejtësinë”, tha Celmeta.
Lini një Përgjigje