
GJKKO ka liruar nga qelia, avokati Alban Bengasi i cili i ofroi, vrasësit, Nuredin Dumanin 120 mijë euro që t'i vriste ish-gruan e tij. Vrasja nuk u bë për shkak se Dumani nuk pranoi që të vriste ish-bashkëshorten e avokatit për atë shumë parash.
Avokati u arrestua më datë 6 shtator të 2023, në aeroportin “Nënë Tereza”, pasi u shpall në kërkim pas dëshmisë së Nuredin Dumanit.
Sipas asaj që kishte rrëfyer Dumani, Bengasi kishte paguar 120 mijë euro për t’i vrarë gruan, pasi dyshonte se e tradhtonte me shokun e ngushtë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më 27.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 25.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.B., me objekt: Kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe vendosi:
Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit Z. A.B. me Vendimin nr. 42, datë 17.05.2022 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 103, datë 08.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
◦ Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.
◦ Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit”, njofton GJKKO
Si u bë porosia?
Fillimisht Bengasi kërkoi që gruaja e tij të dhunohej dhe t’i shkaktoheshin dëme të shumta. Për ta dhunuar, Nuredin Dumani u kontaktua nga Festim Qoli në vitin 2019, njohje e avokat Bengasit, i cili i kërkoi me çdo kusht Dumanit që ajo të rrihej barbarisht, madje t’i thyhen këmbët, duart dhe të shpërfytyrohej në fytyrë. Gruaja u mbajt në vëzhgim për disa ditë në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, aty ku kishte shtëpinë, nga Nuredin Dumani dhe Eljo Bitri.
Ky i fundit e qëlloi me grushte dhe sende të forta në fytyrë, por nuk i theu këmbët dhe duart siç Bengasi dhe Qoli u kishin kërkuar.
Në vijim, Nuredin Dumani u takua në një kafe me avokatin Alban Bengasi, i cili i shprehu pakënaqësinë që ish-bashkëshortja e tij nuk ishte dhunuar ashtu siç i kishte kërkuar. Më tej Bengasi i ofroi shumën 120 mijë euro Nuredin Dumanit për ta eleminuar, shumë që sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë ishte e pamjaftueshme për vrasjen e një gruaje.
I vendosur për të zhdukur nga faqja e dheut ish-bashkëshorten, për të cilën kishte kaq shumë mllef, Alban Bengasi i tha Dumanit se gjithsesi një punë të tillë do e bënte dikush, duke përmendur edhe Gjergj Cukalin, të të ashtëquajturin “i forti” i “Myslym Shyrit”.
Lini një Përgjigje