
Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për Gëzim Çelën dhe 11 anëtarët e grupit të “Baronit” të drogës. Për 12 të pandehurit për operacionin dhe dosjen e koduar “Flakë në det”, do të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Kërkesa u pranua nga trupa e gjykimit, e përbërë nga: Erjon Bani dhe Rudina Palloj, teksa në datën 23 prill Prokuroria e Posaçme do të lexojë konkluzionet përfundimtare për 12 pjesëtarët e këtij grupi.
Mes të akuzuarve është edhe ish-anëtari i forcave speciale, njëkohësisht i cilësuar si 'Baroni i drogës' nga autoritetet italianë shumë vite më parë, Gëzim Çela.
Arlind Ismailukaj, Gëzim Çelaj, Nerim Çela, Armando Mema, Dritan Metaj, Besnik Brokeri, Alket Deda, Selami Lushkaj, Ksenofon Bodo, Armando Papa, si dhe dy shtetasit ukrainas Kyrylo Ponomarenko dhe Kostiantyn Biellon, në seancën e kësaj të mërkure (9 prill), i qëndruan kërkesës paraprake për gjykim të shkurtuar.
Operacioni “Flakë në det” u zhvillua nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion në muajin gusht të vitit 2023, ku të arrestuarit dyshohen nga organi i akuzës se kanë kryer trafik të lëndëve narkotike nëpërmjet rrugës detare.
SPAK dhe Policia kishin informacione për një shkëmbim të mundshëm të drogës në det të hapur, në zonën e Patokut (Kurbin), përmes gomoneve, të cilat u përdorën për të shkëmbyer hashashin me kokainë në det. Droga u soll nga dy ukrainasit.
Lini një Përgjigje