
Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjen e grabitjes së bujshme në aeroportin e Rinasit, duke kundërshtuar vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë. Kërkesa është depozituar zyrtarisht të hënën nga përfaqësuesit e tyre ligjorë.
Përmes avokatëve Evjola Shehu dhe Neshat Fana, ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit aktual dhe rikthimin e dosjes për rigjykim. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses pretendohet se gjatë procesit gjyqësor janë cenuar parimet e një procesi të rregullt ligjor dhe të drejtat kushtetuese të garantuara për të pandehurit.
Çështja lidhet me grabitjen spektakolare në aeroportin e Rinasit, një nga ngjarjet kriminale që ka shkaktuar më shumë debat dhe vëmendje publike në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Grabitja në aeroportin e Rinasit ndodhi më 9 prill 2019 dhe konsiderohet një nga ngjarjet kriminale më spektakolare në Shqipëri. Autorët arritën të hynin brenda pistës së aeroportit “Nënë Tereza” dhe të grabisnin miliona euro që po transportoheshin me avion drejt Austrisë.
Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin me 122 vite burg nga Apeli i GJKKO për 7 të përfshirët, në nëntor të vitit 2025.
Klement Çala u dënua me 20 vite burg. Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli dhe Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, u dënuan me nga 17 vite burg secili. Gjykimi për Talo Çelën vijoi i ndarë, për shkak se është në arrati. Ndërsa për Admir Muratin, i cilësuar si “koka” e këtij grupi u pushuan hetimet për shkak se ndërroi jetë.
Si ndodhi grabitja në Rinas?
Një grup i armatosur dhe i maskuar hyri në pistën e aeroportit me një furgon që mbante mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Autorët çanë perimetrin e sigurisë dhe lëvizën drejt avionit të kompanisë “Austrian Airlines”, i cili ishte gati të nisej drejt Vjenës. Në momentin që po ngarkoheshin paratë në avion, grabitësit sulmuan mjetin e blinduar që transportonte vlerat monetare. Ata morën disa thasë me para, që dyshohet se përmbanin rreth 4.6 milionë euro.
Çfarë ndodhi gjatë arratisjes?
Pas grabitjes, autorët tentuan të largoheshin drejt zonës së Fushë-Krujës. Gjatë ndjekjes nga policia pati shkëmbim zjarri. Në këtë përplasje mbeti i vrarë Admir Murataj, i konsideruar si organizatori kryesor i grabitjes. Trupi i tij u gjet pranë një makine të djegur në afërsi të Niklës. Dyshohet se grabitësit dogjën automjetet për të zhdukur gjurmët.
Pas hetimeve të gjata, SPAK dhe policia arrestuan disa persona të dyshuar si pjesë e grupit kriminal. Mes tyre ishin edhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, të cilët akuzohen për përfshirje në organizimin dhe realizimin e grabitjes.
Dosja u shoqërua me shumë debate publike, për shkak të nivelit të lartë të organizimit të grupit dhe faktit që autorët arritën të hynin në një zonë me siguri të lartë si aeroporti i Rinasit.
Lini një Përgjigje