TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Shkurt 2026, 20:03

Dhunonte dhe fyente fëmijët e fillores në Tiranë, policia shpall në kërkim mësuesen

Shkruar nga Pamfleti
Dhunonte dhe fyente fëmijët e fillores në Tiranë, policia
Mësuesja Mine Hasani

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim mësuesen e një shkolle 9-vjeçare në kryeqytet që shfaqet në një video duke dhunuar dhe fyer nxënësit.

Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur se ka nisur procedurat pas pamjeve të transmetuara në emisionin investigativ ‘Stop’,  ku mësuesja shfaqej gjatë orës së mësimit duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj fëmijëve.

Sipas policisë, ndaj saj rëndojnë dyshime për dhunë gjatë procesit mësimor, ndërsa hetimet janë mbështetur si në pamjet filmike, ashtu edhe në veprime të tjera hetimore.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 shpallën në kërkim shtetasen M. H., 58 vjeçe, pasi, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “STOP”, si dhe me veprimet e tjera hetimore të kryera, dyshohet se gjatë zhvillimit të procesit mësimor në një shkollë 9-vjeçare, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve. Po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.  Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin e policisë.

Pamjet e transmetuara në media tregojnë se si mësuesja Mine Hasani dhunon fëmijët e fillores dhe përdor një fjalor me terma degradues dhe kërcënues. Shprehjet që ajo përdor rregullisht ndaj nxënësve variojnë nga “idiotë”, “kafshë”, te “zhulsa” e “kokë palarë”.

Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë njoftoi ngritjen e një grupi pune për të ndjekur situatën dhe për të takuar drejtuesit e shkollës, psikologët dhe prindërit e fëmijëve të përfshirë. Me vendim të datës 25 shkurt 2026, marrëdhëniet e punës me mësuesen  u ndërprenë menjëherë, njoftoi drejtoria arsimore. 

 

policia mesuese dhuna

Lini një Përgjigje