TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Korrik 2023, 12:04

Dhuna në Krujë, gjykata lë në burg 3 anëtarë të fisit Rraja; djali dhe vëllezërit e ish-deputetit ende në arrati

Shkruar nga Pamfleti
Dhuna në Krujë, gjykata lë në burg 3 anëtarë
Të arrestuarit sot para gjykatës

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 3 prej 4 të arrestuarve për dhunën barbare në Krujë. Sot ata dolën para gjykatës për tu njohur me masat e sigurisë dhe gjykata vendosi të mbajë në qeli Ineidi Rrajën, Eni Kullajn dhe Andi Rrajën. Ndërsa për Kujtim Përdakun, pronarin e lokalit ku ndodhi ngjarja, u vendos masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Ata akuzohen për veprat penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, ‘Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit’, ‘Moskallëzimi i krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës’.

Ineidi dhe Andi Rraja kanë mohuar akuzat duke pretenduar se nuk kanë ushtruar dhunë ndaj dy kushërinjve Maja. Sipas avokatit, duhet të bëhet individualizimi i veprimeve të të gjithë personave të dyshuar, po ashtu avokati kërkoi që të ndëshkohen autorët e kësaj dhune.

Prokuroria ka pretenduar se individualizimi i veprimeve konkrete që ka kryer secili prej personave të dyshuar do të bëhet në themel sepse ende jemi në fazën e hetimeve paraprake.

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim edhe 6 persona të tjerë. Përkatësisht në kërkim janë Xhelal Rraja, Rexhep Rraja, vëllai dhe djali i deputetit Rrahman Rraja që akuzohem nga policia si organizator, Flamur Rraja gjithashtu vëllai i deputetit socialist të dorëhequr, si dhe Klajdi Rraja.

Po kështu, në vazhdim të veprimeve hetimore dhe kqyrjes së pamjeve filmike u identifikuan dhe dy persona të tjerë të përfshirë të cilët u shpallën në kërkim, konkretisht shtetasit Edison Meta dhe Përparim Rraja, duke e çuar në 6 numrin e personave të shpallur në kërkim. Pra, ata që ishin arkitektë të dhunës janë në arrati dhe nuk arrestohen dot.

Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten paradite, ku djali, vëllezërit dhe të afërmit e deputetit të dorëhequr, Rrahman Rraja dhunuan brutalisht Bilbil Majën dhe Jashar Majën. Këta të fundit bënë denoncim në polici se guroja e fisit Rraja u kishte dëmtuar banesat. Por nuk vonoi shumë dhe ata u kapën në befasi në një lokal, ku u dhunuan me shkopa bejzbolli. Po ashtu i vëllai i deputetit u filmua me armë në dorë.

Sa i përket kësaj guroreje, orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Shtetit njoftoi bllokimin e aktiviteti të subjektin gurore ‘Delia Group’, me administrator Viktor Delia. Po ashtu dje dha dorëheqjen Rrahman Rraja dhe u shkarkua ministri Brendshëm, Bledar Çuçi. Ndërkohë policia nuk po ja del dot të arrestojë djalin dhe vëllezërit e Rrahman Rrajës. /Pamfleti

rraja gjykata masa e sigurise

Lini një Përgjigje