
Policia e Shtetit ka zbarkuar ditët e fundit në banesën e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Bëhet me dije se ky kontroll po ushtrohet për gjetjen e 6 personave të shpallur në kërkim për dhunën barbare ndaj dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja.
Mësohet se pas përfundimit të procedurave të lënies së mandatit të deputetit, policia bëri kontroll me vendim gjykate.
Burime bëjnë me dije se brenda banesës së Rrahman Rrajës nuk janë gjetur sende të jashtëligjshme, por as personat e shpallur në kërkim, djali Rexhep Rraja, vëllezërit Flamur dhe Xhelal Rraja, Përparim Rraja, Klajdi Rraja dhe Edison Meta.
Në vijim, policia ka kryer edhe kontrolle të tjera për arrestimin e tyre, por asnjëri nuk është lokalizuar.
Aktualisht të gjithë figurojnë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë e një largimi në mënyrë të jashtëligjshme.
Kujtojmë se fisi Rraja ka dhunuar në mënyrë barbare dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja pasi këto të fundit ishin ankuar se shpërthimet gjatë punimeve në guroret në pronësi të kushëririt të ish deputetit të PS, Rrahman Rraja po iu dëmtonin banesat. Mesditën e 6 korrikut 2023, Bilbil dhe Jashar Maja ishin në lokal me inxhinierin e gurores për t'i kërkuar që shpërthimet të ishin më të kontrolluara pasi po u dëmtoheshin banesat, kur grupi i fisit Rraja mësyu në lokal dhe dhunoi barbarisht dy kushërinjtë.
Gurorja është në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i ish deputetit, e cila pas ngjarjes së rëndë u bllokuan punimet në të. Për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja, policia ka lënë në burg 3 persona, ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre Rexhep Rraja djali i deputetit dhe dy vëllezërit e deputetit socialist të Krujës, Flamur dhe Xhelal Rraja.
Sakaq, pas publikimit të videos Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga mandati i deputetit.
Dy kushërinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, në prononcimet e tyre për mediat kanë deklaruar se nëse shteti nuk vepron ata do të bëjnë vetëgjygjësi. Ata kanë bërë publike gjithashtu edhe mesazhet kërcënuese që kanë marrë nga fisi Rraja.
Lini një Përgjigje