TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Shkurt 2025, 10:33

Detajet e krimit në Shkodër, Anila Prendushi në 'luftë për jetën' te Spitali i Traumës

Shkruar nga Pamfleti
Detajet e krimit në Shkodër, Anila Prendushi në 'luftë
Kolë Manaj dhe Anila Prendushi

Vijojnë të mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes së rëndë të regjistruar në Shkodër, ku humbi jetën 34-vjeçari Kolë Manaj, ndërsa është në gjendje të rëndë bashkëjetuesja e tij, Anila Prendushi.

Kjo e fundit është dërguar për mjekim më të specializuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të plagëve të marra.

Ajo vijon të jetë në gjendje kritike për jetën për shkak të plumbit të marrë në kokë.Ngjarja e regjistruar në lagjen “Mark Lula” tronditi familjarët dhe banorët e zonës. Kjo pasi çifti kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Por, para ngjarjes së rëndë dyshohet se mes çiftit ka pasur debat për arsye që ende nuk dihen.

Çifti kishte rreth 5 vite që bashkëjetonte, ndërsa Anila Prendushi ka 3 fëmijë nga martesa e parë.

Prendushi punonte si punonjëse sociale në një qendër komunitare.

Sipas të dhënave policore mësohet se Anila Ndoka (Prendushi), është nënë e 3 fëmijëve, që i kishte nga martesa e parë. Ajo është 44 vjeçe dhe pasi ishte divorcuar me të atin e fëmijëve, dyshohet se ka krijuar lidhje me 34-vjeçarin, Kolë Manaj. Sipas të dhënave të para ata kanë bashkëjetuar prej kohësh, në një marrëdhënie jo të panjohur në zonë dhe në mes të familjeve të tyre.

Gruaja, e cila jetonte edhe me njërin nga tre fëmijët e saj, pasi dy të tjerët bëhet me dije se i mbante bashkëshorti, punonte si punonjëse sociale, ndërkohë që në lidhje me Manajn nuk bëhet me dije ndonjë profesion i tij. Por pas aktit të rëndë, hetuesit kanë hapur rrjetet sociale të viktimës dhe të plagosurës për të kuptuar më shumë në lidhje me bashkëjetesën e tyre dhe është konstatuar se Manaj trumpetonte me një mënyrë të çuditshme “gjënë” që donte: “Atë që e do fort, mos e lësho, mos hiq dorë për asnjë arsye në botë!”

Referuar të dhënave policore saktësohet se nga dëshmitë e grumbulluara paraprakisht është fiksuar fakti se Manaj nuk është njohur për precedentë të mëparshëm dhe as nuk ka qenë ndonjë person problematik në lagje. Dyshohet se kohëve të fundit kishte pasur grindje mes tyre, duke çuar grupin hetimor drejt dyshimit që gruaja mund të ketë tentuar t`i jepte fund lidhjes me djalin 10 vjet me të ri se ajo, por ky i fundit nuk ka pranuar.

Dëshmitarët kanë treguar se kanë dëgjuar zënka mes tyre, por jo shqetësuese, ndërkohë që priten marrje dëshmish te persona të afërt me çiftin. Po ashtu mësohet se një prej personave kyç që pritet të hedhë dritë mbi ngjarjen e rëndë do të jetë fëmija i të plagosurës, që jetonte me ta, po ashtu edhe familjarët e të dy palëve. Policia dhe grupi hetimor shpreson edhe në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të gruas, e cila ka marrë plumb në kokë, por që vijon të jetë nën kujdesin intensiv të mjekëve të Tiranës. Vetëm një dëshmi e saj mund të sqarojë gjithçka ka ndodhur mes tyre, ndërkohë që grupi hetimor ka sekuestruar armën e zjarrit dhe telefonat celularë të çiftit.

anila prendushi shkodër

Lini një Përgjigje