Motra i vuri zjarrin shtëpisë duke përdorur gaz ndërsa vëllezërit tentuan të arratiseshin, për të penguar një operacion dëbimi.
Zbardhen detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë në Verona, ku tre karabinierë humbën jetën.
Mediat italiane raportojnë se tre karabinierët Marco Piffari, Valerio Daprà dhe Davide Bernardello mbetën të vrarë ndërsa 15 ushtarë, oficerë policie dhe zjarrfikës u plagosën në një shpërthim që ndodhi në një shtëpi fshati në Castel D’Azzano.
Mësohet se policia ndërhyu për të kontrolluar banesën dhe më pas ndodhi një shpërthim, që dyshohet se u shkaktua nga tre personat që ndodheshin brenda saj.
Në banesë ndodhen dy vëllezër dhe një motër, të cilët u arrestuan pas ngjarjes, pasi akuzohen për vrasje me paramendim.
Në shpërthimin i cili u dëgjua 5 kilometra larg, shtëpia 2 katëshe u shemb duke zënë poshtë edhe personat që ishin pjesë e operacionit.
Me sa duket ngjarja e sotme nuk është një rast sporadik, pasi këta tre persona kishin përdorur një skenar të ngjashëm vetëm një vit më parë, për t’i shpëtuar dëbimit.
Sipas "Corriere Della Sera", autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e akuzës për masakër. Skena e ngjarjes është përshkruar si “apokaliptike” ndërsa tragjedia ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që përballin çdo ditë forcat e rendit në kryerjen e detyrës.

Si ndodhi shpërthimi?
Sipas informacioneve paraprake, policia kishte ndërhyrë për të zbatuar një urdhër dëbimi në një banesë ku ndodheshin tre persona. Gjatë hyrjes në ndërtesë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm që shembi tërësisht godinën dykatëshe, duke zënë poshtë karabinierët dhe policët. U raportua se shtëpia ishte e mbushur me gaz dhe shpërthimi u shkaktua në momentin kur u hap dera kryesore.
Pas ngjarjes, dy persona (një burrë dhe një grua, të dy rreth të 60-ave) u ndaluan dhe u shpëtuan nga forcat e rendit. Vëllai i tretë, i cili ishte arratisur, u arrestua gjithashtu nga policia.
Një histori e përsëritur
Një vit më parë, në tetor të vitit 2024, ata kishin mbushur shtëpinë me gaz, por atëherë operacioni u shty dhe gjithçka përfundoi pa incidente. Madje, njëri prej vëllezërve kishte kërcënuar se do të vetëdigjej duke u lyer me benzinë.
Në banesë janë gjetur të paktën 5-6 bombola gazi dhe besohet se shpërthimi ka ndodhur në katin e parë. Pasdite pritet të fillojnë edhe marrjet në pyetje të të arrestuarve.
Kryetarja e bashkisë së Castel D’Azzano, Elena Guadagnini, shprehu ngushëllimet e saj dhe solidaritetin me familjet e viktimave.
Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar gjithashtu përmes një postimi në rrjetin social X dhe i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave.
“Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të tre karabinierëve dhe plagosjen e të tjerëve. Mendimet tona janë me ata që i shërbejnë Italisë”, tha Meloni./ Përshtati "Pamfleti" nga "Domani"
Lini një Përgjigje