
36-vjeçari që u plagos sot në Shijak duket se nuk ishte shënjestra e vërtetë e autorit Arbër Hoxha
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen në Durrës, ku një 30-vjeçar i identifikuar si Arbër Hoxha ka plagosur me armë zjarri 36-vjeçarin Enidor Dedja.
Burime për mediat bëjnë me dije se 36-vjeçari që u plagos sot në Shijak duket se nuk ishte shënjestra e vërtetë e autorit Arbër Hoxha.
Sipas policisë, shkak është bërë një konflikt për motive të dobëta mes Arbër H. dhe një prej vëllezërve që kanë njësinë tregtare.
30-vjeçari ka qëlluar me breshëri plumbash kundrejt njësisë tregtare, ku njëri prej plumbave ka goditur Enidor Dedjan, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes rastësisht.
Siç shihet nga pamjet, xhami i përparmë i biznesit pikë shitjeje pjesësh këmbimi, është bërë shoshë nga breshëria e plumbave.
Plumbat e shkrepur në drejtim të biznesit, kanë kapur edhe xhamin e një urbani që ndodhej i ndaluar, dhe pa njerëz brenda.
Fatmirësisht, i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
"Rreth orës 11:15, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi E. D.,36 vjeç, banues në Shijak, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar shtetasit A. H., 30 vjeç, banues në Durrës dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes", thuhej në njoftimin e policisë.

Lini një Përgjigje