Petrit Qoli trazon ujërat dhe akuzon ushtarin e Nuredin Dumanit...
Pas gati 16 vitesh, ditën e sotme është rikthyer për publikun çështja e vrasjes së ish-deputetit Fatmir Xhindi.
Në sallën e Gjykatës së Posaçme u shënua një përplasje e pazakontë mes të pandehurve të dosjes “Plumbi i Artë”. Petrit Qoli, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes me paramendim, iu drejtua Skerdi Tases me një akuzë të drejtpërdrejtë lidhur me vrasjen e ish-deputetit.
I pandehuri Petrit Qoli e pyeti Tasen: "Mos jeni ju personi që keni qëlluar ndaj deputetit Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë që të gjithë personat që i keni qëlluar kanë qenë në distancë 5 metra, dhe Xhindi është vrarë nga kaq distancë? A shihni mirë nga sytë afër apo larg? Se unë, për shembull, nuk shoh as afër, as larg, dhe ju s'keni qëlluar asnjëherë në shenjë si ka mundësi?".
Gjykatësi ndërhyri menjëherë, duke mos e lejuar dëshmitarin të jepte përgjigje, por tensioni i ngritur la të kuptohej se çështja e Xhindit është më e ndërlidhur me botën e krimit të organizuar sesa është pranuar deri më sot.
Vrasja
Vrasja e Fatmir Xhindit ka ndodhur më 2 maj 2009, rreth orës 21:15, kur ai po kthehej në banesën e tij në Roskovec.
Në momentin atentatit, 49-vjeçari ishte duke parkuar automjetin në oborrin e shtëpisë, pas një takimi elektoral pasi atë vit, Shqipëria do t’i nënshtrohej zgjedhjeve parlamentare në muajin qershor. Rreth orës 21:15 të asaj nate, deputeti është qëlluar me një breshëri automatiku nga autorë të paidentifikuar.
Fatmir Xhindi u dërgua nga familjarët menjëherë në spitalin e Fierit, por nuk i ka mbijetuar dot 6 plumbave që kishte marrë në trup. Sipas të dhënave të ekspertizës, Fatmir Xhindi është qëlluar pas shpine me automatik tip Kallashnikov, nga një distancë rreth 2 metra. Atentatorët i kanë bërë pritë Xhindit, i cili natën e ngjarjes udhëtonte i vetëm me automjetin e tij personal. Bëhet e ditur se Xhindi ka qenë 6 metra larg shtëpisë, e cila ndodhet në një rrugicë të errët.
Dyshohet se autorët e krimit kanë shfrytëzuar errësirën për të kryer vrasjen. Atë kohë, Ministria e Brendshme në Tiranë vuri në dispozicion të atyre që japin informacion mbi këtë ngjarje një shumë prej 250 mijë eurosh, si dhe dy numra telefoni të posaçëm.
Dëshmitë
Pak kohë më parë kanë dhënë detaje dhe familjarët e ish-deputetit. Xhindi kishte qenë te prindërit e tij në fshat atë ditë, ku kishte punuar tokën. Më pas në mbrëmje ishte nisur drejt banesës. Rreth 30 metra larg banesës, në një rrugicë të mbuluar nga bari i lartë afrohet një person që nuk u identifikua kurrë. “Këtu ka qenë me barishte goxha të mëdhaja dhe nuk kalonte as makinë asgjë, këtu ishte bërë vendi që mendohet se ishte autori duke pritur Fatmirin, kishte pirë dhe cigare, është gjetur bishti, u gjet dhe një pako aspirinë”, ka treguar Ilir Xhindi, vëllai i Fatmir Xhindit në “Inside Story”.
Errësira kishte rënë dhe vendi ku qëndronte personi kishte fushëpamje drejt hyrjes së banesës së deputetit. Po ashtu, ajo rrugë të jepte mundësinë e largimit pa u diktuar nga askush.
Fuoristrada e deputetit Xhindi mbërrin dhe mjeti drejtohet brenda oborrit të banesës. Ai zbret nga makina, dhe hap derën e bagazhit për të nxjerrë rrobat e punës që përdori te toka në fshat.
Nga rruga përballë, përbri kësaj magazine, nisin të shtënat e kallashnikovit drejt deputetit. Xhindi goditet pas shpine me 6 plumba. Autori afrohet, e qëllon edhe nga afër në kokë për tu siguruar që ti marrë jetën.
“Policia na ka thënë që i ka bërë në tre pozicione të shtënat, nga larg, duke afruar deri te vendi ku është siguruar që ka vdekur”, tregonte Ilir Xhindi për “Inside Story”.
Hetimet
Pas kaq shumë kohësh, askush nga prokuroria nuk është në gjendje që të saktësojë një pistë për motivin e vrasjes së Fatmir Xhindit, ndonëse në 2009-n, u ngritën disa. Akuza do të shprehej se deputeti mund të ishte vrarë për shkak të detyrës, për një konflikt të vjetër në vitin 1997 dhe për shkak se ka influencuar në një vendim gjyqësor.
Fillimisht u dyshua se ai mund të ishte ekzekutuar për motive pronësie, por më pas kjo pistë u rrëzua. Një tjetër motiv mund të ishte influencimi i Xhindit për një proces gjyqësor. Disa vite më parë, ish-shoferi personal i të ndjerit Fatmir Xhindi aksidentoi me makinë një fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, ai është arrestuar, por mendohet se me ndërhyrjen e deputetit Xhindi, u la përsëri i lirë. Të nisur nga kjo situatë, grupi hetimor hodhi dyshime se ekzekutimi i deputetit Xhindi mund të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje nga të afërmit e fëmijës, por as për këtë pistë, nuk është gjetur ndonjë provë bindëse.
Një nga pistat që ju mëshua më shumë është ajo për shkak të detyrës, gjë të cilën e beson edhe familja.
Ndërkaq, dosja për vrasjen e Fatmir Xhindit nuk u mbyll kurrë dhe nuk ka pasur afate për hetimet, sepse ngjarja ka mbetur pa autor. Dosjen e mori edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, por sërish nuk pati asnjë konkluzion. Të shohim nëse drejtësia do të lëvizë pas dëshmisë së sotme. /Pamfleti
Lini një Përgjigje