
Një 52-vjeçar u arrestua sapo ka shkelur në territorin shqiptar, pasi GJKKO kishte caktuar masën e arrestit me burg ndaj tij.
Në një njoftim zyrtar thuhet se shtetasi Robert Myftari, 52 vjeç, banues në Vlorë, u arrestua sapo ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës së Kalimit Kufitar të Rinasit.
Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.63, të datës 22.06.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.
Shtetasi i lartpërmendur është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.
Materialet do t’i kalojnë për kompetencë Prokurorise së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Lini një Përgjigje