
Policia ka bllokuar 3 mjete lundruese në Sarandë, Durrës dhe Shkodër në kuadër të kontrolleve për mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Konkretisht janë bllokuar dy skafë dhe një varkë pasi lundronin të papajisur me dokumentet e nevojshme. Një prej skafeve rezultoi të ishte vjedhur në Australi. Ndërsa drejtuesi i tij është vënë nën hetim nga policia.
Mësohet se këto mjete janë konstatuar duke lundruar në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat e lundrimit, ndërkohë, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative 110 000 dhe 10 000 lekë të rinj.
"Në vendin e quajtur “Hunda e Marinës”, Sarandë, u bllokua një mjet lundrimi varkë plastike, sepse drejtuesi i saj nuk kishte certifikatën për ushtrimin e veprimtarisë si operator ekonomik në fushën e turizmit, si dhe sepse nuk kishte në bord, dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këto shkelje, drejtuesi i këtij mjeti, u ndëshkua me 2 masa administrative, me vlerë totale 110 000 lekë të rinj.
Në portin e Durrësit, si rezultat i veprimeve verifikuese të kryera në bashkëpunim me homologët gjermanë, u bllokua mjeti lundrues skaf, me drejtues shtetasin F. L., 41 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ky mjet lundrues është vjedhur në Australi. Për 41-vjeçarin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Në liqenin e Shkodrës, u bllokua një mjet lundrimi skaf, pasi drejtuesi i tij nuk kishte në bord, dokumentet e nevojshme për daljen në det. Për këtë shkelje, drejtuesi i këtij mjeti lundrues, u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj."-njofton policia.
Vijojnë kontrollet dhe verifikimet në të gjithë vijen bregdetare të vendit, për të garantuar zbatimin e ligjit nga të gjithë pronarët apo poseduesit e mjeteve lundruese për argëtim, peshkim apo turizëm.
Lini një Përgjigje