
Shqipëria përjetoi sot një ditë të zezë në rrugë, me 4 viktima dhe mbi 10 të plagosur në pesë aksidente të ndodhura brenda disa orësh në Bulqizë, Peshkopi, Korçë, Fushë-Arrëz, Elbasan dhe Krujë.
Dy minatorë humbën jetën në segmentin Qafë Buall–Bulqizë, pasi automjeti tip “Nissan” doli nga rruga, ndërsa një tjetër pasagjer u plagos rëndë. Një grua ndërroi jetë pas një aksidenti në rrugën Peshkopi–Luzni, ndërsa bashkëshorti i saj po trajtohet në spital. Tre persona u plagosën në Korçë, tre të tjerë në Fushë-Arrëz kur një mjet përfundoi në një lokal, dhe dy persona u plagosën në Elbasan pasi një automjet përplasi ambientet e një kafeje. Në Krujë, një vajzë 4-vjeçare u përplas aksidentalisht nga i ati dhe ndërroi jetë në spital.
Këto ngjarje vijnë në kulmin e sezonit veror, kur trafiku rritet ndjeshëm dhe prania e policisë rrugore pritej të ishte maksimale. Por realiteti i sotëm nxjerr në pah një mungesë të dukshme kontrollesh, sinjalizimesh dhe monitorimi, duke ngritur shqetësime serioze mbi menaxhimin e sigurisë rrugore.
Qytetarët dhe ekspertët e transportit e kanë cilësuar reagimin institucional si të vonuar dhe të pamjaftueshëm, ndërsa shifrat tragjike të ditës tregojnë një problem të thellë të parandalimit.
Lini një Përgjigje