
Xhambazi Florian Taçi është dënuar me 6 vite burg nga Gjykata e Gjirokastrës, për abuzime gjatë kohës që ishte në krye të Kadastrës së këtij qyteti. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Alban Memishaj dhe Julian Nakuçi janë dënuar me nga 4 vite burgim.
Nisur nga kërkesa e të pandehurve qysh në seancën fillestare për gjykim të shkurtuar, Florian Taçit i ulet 1/3 e dënimit, pra dënohet me 4.6 vjet burg, përllogaritur këtu dhe 7 muajt që ka kaluar në arrest shtëpie. Ndërsa Memishaj do të vuajë 2.5 vjet burg, kurse Nakuçi 8 muaj në shërbim prove.
Mbi ish-kreun e Kadastrës së Gjirokastrës rëndojnë akuzat e falsifikimit, mashtrim dhe shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
Florian Taçi u arrestua në flagrancë nga Policia e Gjirokastrës në 28 shkurt të këtij viti. Apeli në Tiranë i dha arrest shtëpiak ndërsa prej ditës së sotme Taçi bëhet i burgosur ku do ta vuajë dënimin në burg të sigurisë së zakonshme.
Taçi ka cënuar sistemin kombëtar të Kadastrës duke dhënë çertifikata pronësore në qindra raste për pasuri të ndryshme të paluajtshme.
Sipas Prokurorisë së Gjirokastrës, shtetasi J.N. në bashkëpunim me Florian Taçin dhe Alban Memishajn përpilonte plane rilevimi dhe raporte vlerësimi pronash duke përdorur në dhjetëra raste licencat e falsifikuara me emrat A. T., D. H. dhe studio “Geo-Spital”. Licenca që rezultojnë të jenë përdorur jo vetëm pranë ASHK-Gjirokastër, por edhe në Drejtoritë e ASHK-së në Tiranë.
Gjithashtu, Prokuroria e Gjirokastrës ka vendosur nën sekuestro një sipërfaqeje prej 122 hektarësh kullotë, me vendndodhje në vendin e quajtur “Stojan” të Libohovës, e regjistruar në shkelje të ligjit nga Florian Taçi me qëllim favorizimin e subjektit “F”, për marrjen me qira të kësaj sipërfaqeje për 98 vjet për ndërtimin e një parku fotovoltaik, duke cenuar të drejtat e pronësisë së disa shtetasve.
Lini një Përgjigje