Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të vendosë më 7 prill lidhur me kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, që ka ofruar një garanci pasurore prej 20 mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë.
Beqaj ndodhet në qeli prej 21 muajsh ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur një seri akuzash si korrupsion pasiv, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja, mashtrim në bashkëpunim dhe fshehje të pasurisë.
Beqaj kërkoi lirimin nga qelia me pretendimin se tashmë nuk ekziston asnjë mundësi e ndikimit apo prishjes së provave ndaj tij, gjithashtu e as mundësia për tu arratisur apo për t’iu shmangur drejtësisë.
“Prej datës 04.07.2024, unë jam në një masë shtrënguese “Arrest me burg”. Ndërsa sot jam para jush bazuar në të drejtën që më jep neni 260 i KPrP, ku sanksionohet se masat shtrënguese dhe ndaluese revokohen menjëherë kur del se mungojnë kushtet dhe kriteret e zbatimit të tyre, si dhe kur nevojat e sigurimit zbuten ose kur masa e zbatuar nuk i përgjigjet më rëndësisë së faktit ose dënimit që mund të caktohet, gjykata e zëvendëson masën me një tjetër më të lehtë”, tha Beqaj para GJKKO.
SPAK ka kërkuar kohë që të njihet me të gjitha pretendimet e mbrojtjes, lidhur me kërkesën e fundit të Beqajt që kërkon lirinë nga GJKKO.
Ndërkohë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Ermal Kurtulaj, biznesmenit që konsiderohet një nga bashkëpunëtorët e ish-ministrit Beqaj, gjatë kohës që ky i fundit ka drejtuar SASPAC, institucionin e ngritur për të menaxhuar fondet e huaja, kryesisht ato të BE-së. Kurtulaj kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se ka probleme shëndetësore.
Kurtulaj ndodhet në paraburgim nga 4 korriku 2024, ndërsa ai u arrestua me urdhër të SPAK pas hetimeve të nisura lidhur me SASPAC.
Lini një Përgjigje