
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon shqyrtimin e dosjes “Plumbi i Artë”, ku në seancën e radhës po merren në pyetje dëshmitarët e paraqitur nga mbrojtja.
Në këtë kuadër, u thirr për të dëshmuar Mirza Veli, i kërkuar nga avokatët e të pandehurit Agron Qoli. Çështja përfshin disa të pandehur, mes tyre Dumani, Alibej, Xhixha, Hoxha dhe Qoli.
Në deklarimin e tij fillestar, dëshmitari tha se nuk ka njohje personale me të pandehurit. Veli, banues në Durrës, me arsim të lartë dhe oficer i policisë gjyqësore, u mor në pyetje nga mbrojtja për lidhjet e mundshme dhe rrethanat e ngjarjes.
Pjesë nga gjyqi:
Avokati: A njihni ndonjë nga të pandehurit?
Dëshmitari: Agron Qolin e kam komshi, kemi shkuar njëherazi në pallat.
Avokati: Fatmira Dedane njihni?
Dëshmitari: Si komshije, por nuk kam pasur marrëdhënie personale. Ka pasur dy banesa, një në kat të pestë dhe një në kat të dytë.
Avokati: Raporti i Qolit me Fatmirën?
Dëshmitari: Qoli ka qenë administrator pallati, merrej me problemet. Nuk e di nëse kanë pasur marrëdhënie personale.
Avokati: Nga hyrje dhe dalje nga pallati?
Dëshmitari: Pallati ka vetëm një hyrje për garazh, e njëjta për dalje.
Avokati: Kjo ishte e njëjtë edhe në kohën e vrasjes së Fatmira Dedës?
Dëshmitari: Po, nuk kishte pengesa rrugore.
Avokati: Ku bie hyrja e Agron Qolit?
Dëshmitari: Nuk e di, nuk kam qenë te banesa.
Avokati: Ditën e ngjarjes ku keni qenë?
Dëshmitari: Në kafe. Më mori vëllai, kam parë trupin e të ndjerës në garazh dhe kam telefonuar policinë.
Ai shtoi se Agron Qoli kishte komunikuar me vëllain e tij për ngjarjen, ndërsa vetë nuk ka pasur kontakt direkt me të.
Avokati: Fatmira ka pasur persona të tjerë që jetonin me të?
Dëshmitari: Jo, vetëm një zonjë pastruese që e ndihmonte. Nuk kam qenë në ceremoninë e varrimit.
Gjatë seancës, dëshmitari iu përgjigj edhe pyetjeve të gjykatës dhe të pandehurve, lidhur me pozicionin e tij dhe lëvizjet në momentin e ngjarjes, duke sqaruar se në periudhën 2012-2013 ka qenë në detyrë në Prokurorinë e Durrësit.
Prokurori Dibra: Sa larg pallatit keni pirë kafe?
Dëshmitari: 50-100 metra.
Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte vënë re persona të tjerë pranë vendit ku u gjet trupi i viktimës.
Lini një Përgjigje