Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një seri vjedhjesh dhe tentativash në zona të ndryshme të kryeqytetit. Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “Harta”.
Në pranga ranë Daniel Çela, 31 vjeç, Bashkim Sollaku, 56 vjeç dhe Endri Gjeli, 33 vjeç, të tre banues në Elbasan. Hetuesit i lidhin ata me shtatë raste vjedhjesh dhe pesë tentativa të tjera, të kryera në territorin e komisariateve nr. 6 dhe nr. 7.
Sipas hetimeve, më 4 dhe 7 dhjetor 2025, tre të arrestuarit vodhën shuma parash në dy biznese, përkatësisht në rrugën “7 Nëntori” dhe në autostradën Tiranë-Durrës. Më 24 dhjetor 2025 dhe më 8 shkurt 2026, ata morën para dhe sende me vlerë në dy banesa, në bulevardin “Migjeni” dhe në rrugën “Ribez”.
Në shkurt 2026, grupi dyshohet se goditi sërish disa subjekte në rrugën e Prushit, ku në një rast vodhi para dhe në një tjetër tentoi të hynte në ambientet e një kompanie. Tentativa të tjera u regjistruan në Vaqarr dhe në Fushë Mëzez më 22 dhe 25 shkurt 2026.
Policia dokumentoi edhe tre tentativa për vjedhje më 15 shkurt 2026 në kompani të ndryshme në fshatin Marikaj, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 7.
Gjatë operacionit, shërbimet sekuestruan automjetin që të dyshuarit përdornin për të lëvizur drejt objektivave si dhe veshje të përdorura gjatë vjedhjeve. Prokuroria e Tiranës mori materialet procedurale për vijimin e hetimeve.
Lini një Përgjigje