Trafik droge në lokalet e natës në Tiranë, 9 të arrestuar dhe 2 në kërkim, mes tyre punonjës dhe administratorë.
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Night Clubs”, pas disa muajsh hetimesh në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, duke goditur një veprimtari të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në lokalet e natës në zonën e Ish-Bllokut.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë hetimeve janë identifikuar 11 shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, të cilët dyshohet se shpërndanin doza të drogave të forta brenda ambienteve ku ushtronin aktivitetin.
Nga 11 masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata, janë ekzekutuar 9 masa “Arrest në burg”, ndërsa 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar shtetasit: Enis Haxhiaj, Akil Ndreu, Klevis Maqellari, Raul Loka, Endrijus Shaliu, Ergi Hasani, Migert Balla, Arli Gjokmeli dhe Fradjo Keli.
Orges (Dritan) Jahelezi është arrestuar në flagrancë pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai është dënuar më parë nga GJKKO për trafik droge.
Gjatë gjithë kohës që janë zhvilluar hetimet, policia ka gjetur në klube dhe ka sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Sipas policisë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokorisë.
"Finalizohet, pas disa muajsh hetimesh me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, operacioni policor i koduar “Night Clubs”.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 11 shtetas, punonjës ose administratorë të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në brendësi të ambienteve ku ushtronin aktivitetin.Nga 11 masa sigurie të caktuara nga Gjykata, u ekzekutuan 9 masa sigurie “Arrest në burg”.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë. Ndërkohë, 2 shtetas të tjerë janë arrestuar më parë, gjatë periudhës hetimore.
Arrestohet në flagrancë edhe një 49-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Gjatë periudhës hetimore janë sekuestruar rreth 100 gramë kokainë, 2200 tableta ekstazi (MDMA) dhe 11 aparate celularë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Night Clubs” u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit: E. H., 39 vjeç; A. N., 37 vjeç; K. M., 30 vjeç; R. L., 29 vjeç; E. S., 34 vjeç; E. H., 26 vjeç; M. B., 31 vjeç; A. Gj., 36 vjeç dhe F. K., 32 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, punonjës ose administratorë lokalesh, shpërndanin doza të drogave të forta në ambientet e brendshme të lokaleve të natës në zonën e Ish-Bllokut. Gjatë kontrolleve fizike, atyre iu gjetën doza të lëndës narkotike të dyshuar kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 11 aparate celularë.
Gjatë periudhës hetimore janë arrestuar shtetasit E. L., 42 vjeç dhe B. L., 59 vjeç, të cilëve iu sekuestruan 2200 tableta ekstazi (MDMA).
2 shtetas të tjerë të identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi O.(D). J., 49 vjeç, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur nga Gjykata.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje