Policia jep detaje mbi shkaqet që sollën aksidentin tragjik...
Policia ka zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik në aksin “Vorë – Fushë Krujë”. Përmes një njoftimi për mediat, bëhet me dije shkak i aksidentit tragjik ku humbën jetën katër të rinj është bërë betonierja.
24-vjeçari që e drejtonte pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh, ka qëndruar në rrugë, pa ndezur bllokazhin.
Ndërkohë dyshohet gjithashtu se dhe mjeti tip Mercedes ku udhëtonin Enejdi Laçi 25 vjeç, Erildi Laçi 20 vjeç, Enrikejd Kurti 24 vjeç dhe Andi Laçi 22 vjeç ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara.
Policia bën me dije se është arrestuar shoferi i betionieres Aleksandër Krashi, bashkë me menaxherin e firmës Danjel Hoxha ku punonte. Ndërkohë është shpallur në kërkim administratori i firmës. Po ashtu u arrestua Valentin Krashi, i cili ka ndihmur shoferin e betonieres të largohej nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, për aksidentin e ndodhur në Fushë Prezë, bëjmë me dije se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin E. L., 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin A. K. (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja;
-V. K., 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin;
-D. K., 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shtetasi A. K., për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.
-Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje