Një aksident i rëndë është regjistruar në Greqi, ku dyshohet se kanë humbur jetë 5 shqiptarë.
Ngjarja ka ndodhur në Edessa. Mësohet se automjeti ku ndodheshin shqiptarët ka qenë duke ecur në sens të kundërt dhe është përplasur me një kamion. Shoferi i kamionit ndodhet në spital, ndërsa pasagjerët e veturës kanë vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50 me orën lokale, në kilometrin e 87- të të rrugës nacionale Follorinë-Selanik.
Sipas “CNN” grek, makina ka qenë me targa shqiptare. Po ashtu bëhet me dije se makina është shkatërruar totalisht dhe u desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Paraprakisht dyshohet se makina ka dalë nga korsia duke përfunduar në sens të kundërt dhe është përplasur në mënyrë ballore me kamionin.
Vetë policia nuk ka dhënë detaje mbi identitetin e viktimave dhe shkaqet e aksidentit.
“Sot (18.07.2023) rreth orës 17:50, në unazën e Edessë-s, automjeti në të cilin ndodheshin 5 persona (shoferi dhe 4 pasagjerë), është përplasur me një kamion, i drejtuar nga një shtetas i zonës. Për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i kamionit dhe kanë vdekur 5 personat që ndodheshin në veturë. Nga ana e Departamentit të Qarkullimit në Edessë-s po kryhen hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit”, thekson policia.
Megjithatë mediat flasin se janë 5 të rinj në moshë, të cilët dyshohet se kanë qenë punonjës sezonalë në zonë.
Lini një Përgjigje