
Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në dalje të qytetit të Peshkopisë. Mësohet se drejtuesi i automjetit tip “Golf”, 27-vjeçari Alban Shoti ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka hyrë brenda një biznesi privat berberhane.
Si pasojë, ka mbetur i plagosur efektivi i policisë Veli Gjura, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Gjithashtu, i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër, që punonte në biznes. Mësohet se i riu ishte i dehur dhe është arrestuar nga policia.
Efektivi i policisë ishte në shërbim për mbarëvajtjen e qarkullimit pasi në orën 19:00, kreu i PD, Sali Berisha po mban përmbyllës në Peshkopi.
“Sot, rreth orës 18:30, në kryqëzimin Velia, në Peshkopi, shtetasi A.Sh., 27 vjeç, duke drejtuar një automjet tip “Golf”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe mjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me një dyqan. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi V.Gj., (punonjës policie në shërbim) i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje