TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Maj 2025, 10:46

"Nuredin Dumanin s’e njoh fare!", Florenc Çapja nxjerr blof shtetin: Nuk më ekstraduat, erdha vetë nga Dubai!

Shkruar nga Pamfleti

Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjes, po ashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e dyfishtë të babë e bir në Elbasan.

"Nuredin Dumanin s’e njoh fare!", Florenc Çapja nxjerr
Florenc Çapja

Florenc Çapja, i cili u ekstradua drejt Shqipërisë nga Dubai në 2 maj është lënë në arrest me burg nga GJKKO ditën e sotme.

Përpara togave të zeza ai ka deklaruar se nuk është ekstraduar por ka ardhur vetë në Shqipëri.

Ai ka pretenduar se ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej.

Në dëshminë  e tij Çapja është shprehur më tej se ai nuk i ka kërkuar asgjë Dumanit në lidhje me Sokol Sanxhaktarin.

Çapja gjithë seancës ka kundërshtuar duke pretenduar se dosja e tij është lënë pa asnjë veprim hetimor dhe ai është dënuar “vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”.

“Më thoni pse e keni lënë dosjen pa asnjë veprim hetimor dhe më keni dënuar vetëm me dëshminë e Ervis Bardhit”, iu është drejtuar Florenc Çapja prokurorit të SPAK që po heton dosjen e tij, referuar dënimit me burgim të përjetshëm për vrasjen e baba e bir, Nezir dhe Gentin Beqiraj, krim i ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.

Ai ka mohuar që të ketë aplikacionin e koduar Sky Ecc, duke u shprehur: “Ku e ke Sky? Unë skam pas asnjëherë”.

Ekstradimi i Çapjas u bë nën masa ekstreme sigurie pasditen e 2 majit. Ai ishte një emër i shumëkërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare.

Kush është Florenc Çapja?

Teksa i fshihej drejtësisë, Florenc Çapja u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme, si një nga porositësit e ekzekutimit të dyfishtë të Nezir e Gentian Beqirit, babë e bir, në vitin 2012, në Elbasan.

Sapo preku tokën shqiptare, ai iu dorëzua Drejtorisë së Burgjeve, për t'u dërguar më pas në qelitë e burgut.

Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjes, po ashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për krimin e dyfishtë të babë e bir. Sipas SPAK, Florenc e Ardian Çapja ishin porositës të vrasjes së Gentian Beqirit, pas dyshimeve se ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të Ardianit, Sokol Çapja. Për këtë krim po me burgim të përjetshëm u dënua edhe i akuzuari si ekzekutor, Olsi Leku, emrat e të cilëve dolën nga i penduari i drejtësisë, Ervis Bardhi.

Florenc Çapja u hetua edhe për vrasjen e Fadil Memës, ish-shefit të Rrugores së Elbasanit. Çështja ndaj tij u pushua për mungesë provash, por verën e vitit të shkuar Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykim të çështjes në Gjykatën e Elbasanit.

Emri i Çapjes është përmendur në dy raste edhe në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, një herë si porositës i një vrasjeje të pakryer dhe një herë si personi që i kishte dhënë një automjet të përdorur për një vrasje.

Në janar të vitit 2023, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi nën sekuestro 10 pasuri të Florenc Çapjes të ndodhura në Pogradec e në Elbasan, mes të cilave 4 sipërfaqe trualli, dy godina banimi, një bar-kafe dhe një automjet Audi.

Florenc Çapja është i shumëkërkuari i radhës që ekstradohet nga Dubai, vend i kthyer në vitet e fundit në një parajsë paprekshmërie për të kërkuarit e drejtësisë shqiptare, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ekstradimi. Pas deportimit prej të njëjtit vend të Plaurent Dervishajt e Julian Meçajt, gushtin e vitit 2024, duket se Dubai nuk është më streha e sigurt e bosëve shqiptarë të krimit.

florenc Çapja nuk më ekstraduat erdha vetë!

Lini një Përgjigje