
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mesditën e sotme në bypass-in e Fierit, në afërsi të fshatit Mbrostar. Dy automjete që po udhëtonin në të njëjtin drejtim janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e impaktit, katër persona kanë mbetur të plagosur, dy prej të cilëve janë turistë të huaj.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas informacioneve të para, të lënduarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të përplasjes. Policia po punon njëkohësisht për normalizimin e trafikut në këtë segment rrugor, i cili është shumë i frekuentuar.
Hetimet vijojnë për të sqaruar nëse aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së lartë, mosrespektimit të distancës apo ndonjë faktori tjetër.
Lini një Përgjigje