TAGS-AT E JAVËS

Kronike26 Qershor 2023, 16:40

Aferat e të ngelurve në veting/ Gjykata shpall fajtor Bashkim Dedjen, por e lë jashtë qelisë ish-kreun e Kushtetueses

Shkruar nga Pamfleti
Aferat e të ngelurve në veting/ Gjykata shpall fajtor Bashkim Dedjen,
Bashkim Dedja

SPAK kërkoi 1 vit burg për Dedjen, pasi ai nuk deklaroi një apartament me sipërfaqe 60 m2, i ndodhur në zonën e Golemit... 

Gjykata e Posaçme e ka gjetur fajtor ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, duke e dënuar për fshehje pasurie. Edhe pse ai bëhet gjyqtari i parë i ngelur në veting që dënohet nga GJKKO, do qëndrojë jashtë qelisë.

Gjykata e ka dënuar atë me 6 muaj burg, por e ka konvertuar në shërbim prove. Pra edhe pse SPAK siguroi prova dhe konstatoi se ai ka vënë pasuri me para korrupsioni, sërish do ja hedhe me 1 vit shërbim prove, duke ja dalë të mos e provojë burgun. Duket se po ndiqet e njëjta traditë. Përveç Adriatik Llallës që u dënua me 3 vite burg, në të gjitha rastet e tjera gjyqtarët dhe prokurorët kanë mbrojtur njëri-tjetrin.

SPAK kërkoi 1 vit burg për Dedjen, pasi ai nuk deklaroi një apartament me sipërfaqe 60 m2, i ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem, Kavajë. Apartamenti u zbulua gjatë procesit të vetingut dhe më pas dosja kaloi në SPAK.

Sa i takon këtij apartamenti, Dedja ka thënë se është i vëllait të tij dhe thjesht e ka pasur në përdorim, por ky pretendim i tij nuk e ka bindur Prokurorinë.  Sipas akuzës, Dedja ka kryer deklarim të rremë të një apartamenti me sipërfaqe 146 m katror në Tiranë lidhur me një hua 10 mije euro të marrë nga kunati i tij. SPAK thekson se nga hetimi  huadhënësi rezultoi në pamundësi për dhënien e kësaj huaje.

Bashkim Dedja, akuzohet për kryerjen e veprës penale të "Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për akuzë të ngjashme është nën hetim edhe ish-gjyqtari tjetër i Kushtetueses, Fatos Lulo.

Nga ana tjetër duhet theksuar se të gjithë të ngelurit e tjerë në veting ja kanë hedhur paq. Edhe pse janë afro 300 emra të shkarkuar apo dorëhequr, askush nuk hetohet apo dënohet. SPAK vetëm Dedjen çoi për gjykim, ndërsa për shumë të tjerë pushoi edhe ato hetime që kishte nisur.

dedja vetting

Lini një Përgjigje