
Dosjet e vrasjeve të pazbardhura në Tropojë pas vitit 1997 mbeten ende një “patate e nxehtë” në duart e policisë dhe prokurorisë. SPAK ka një hetim të hapur me kallëzuese dhe dëshmitare kryesore Aishe Hajklajn, motrën e vëllezërve nga fshati Kërnajë ndërkohë ministri i brendshëm Taulant Balla, gjatë vizitës së tij të parë në Tropojë të shtunën, 16 dhjetor, riktheu vëmendjen tek vrasjet e pa zbardhura duke kërkuar hetimin e tyre dhe identifikimin e autorëve.
Trazirat e vitit 1997 me armatosjen e popullatës, lufta në Kosovë, përplasjet politike dhe vrasja e Azem Hajdarit, prodhuan një zinxhir ngjarjesh të rënda kriminale që lanë pas shumë viktima, ndërsa autorët mbetën të pa zbuluar.
Burime për “Report TV”, thanë se pjesa më e madhe e vrasjeve pa autor të cilat lidhen me Tropojën, janë të arkivuara në policinë lokale atje dhe në Kukës, me detyra të lëna “për zbulim autori”. Koha e gjatë e kaluar nga ngjarja, largimi i dëshmitarëve, mungesa apo dëmtimi i provave, sipas burimeve kanë qenë pengesa kryesore.
Pas kërkesës së Ministrit të Brendshëm në policinë e Tropojës, ku prezent ishte edhe drejtori i qarkut Artan Bajraktari, policia do të krijojë grupe të posaçme me qëllim rihapjen e hetimeve.
Burimet thanë se dhjetëra dosje kriminale, për vrasje me armë, plagosje, ekzekutime me snajper, prita me eksploziv etj, shpesh me më tepër se një viktimë, do të rishqyrtohen. Po kështu e angazhuar do të jetë edhe policia shkencore me kryerjen e ekspertizave dhe ekzaminimeve të reja që mund të ndihmojnë rihapjen e hetimeve, sidomos tashmë që në duar kanë aparatura më të avancuara dhe të kohës.
Informacionet e provat e reja do t'i paraqiten prokurorisë për vlerësim me qëllim rifillimin e procedimeve penale dhe kryerje ne veprimeve të tjera shtesë që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Ndërkohë për serialin e vrasjeve me armë, sulmeve me snajper dhe pritave më eksploziv ndaj anëtarëve të fisit Haklaj dhe personave të afërt apo bashkëpunëtorë të tyre, hetimi është i hapur nga prokuroria e Posaçme. Më 28 prill Aishe Haklaj, motra e madhe e familjes Haklaj udhëtoi nga Suedia për tu marrë në pyetje për më shumë se 12 orë nga prokurorët e SPAK.
Report Tv mësoi atëherë se ajo dëshmoi për denoncimin e korrikut të vitit 2021, ku akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Ajo u mor në pyetje nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani dhe prokurorja Elida Kaçkini, ndërkohë që shoqërimi i saj u bë me masa të posaçme mbrojtje nga policia.
Përveç Sali Berishës të kallëzuar në SPAK janë edhe 15 persona të tjerë, që akuzohen si banda e armatosur dhe një organizatë kriminale që drejtoheshin dhe vinin në zbatim urdhrat e ish kryeministrit. Në kallëzim thuhej se pjesëtarë të këti grupi kriminal ishin Haki Hoxha, Përparim Hyka, Myftar Lumneshi, Hajredin Haluci, Tahir Hoxha, Iljaz Hoxha, Ilir Hoxha, Selim Hoxha, Agim Hoxha, Cut Neza, Sadri Neza, Xhafer Hoxha, Medi Hoxha dhe Guxim Byberi. /Shqiptarja.com
Lini një Përgjigje