
Seanca ka zgjatur për orë të tëra, teksa pala mbrojtëse ka kërkuar që dosja të ndahet sipas funksioneve që kishin zyrtarët në burg
Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën “arrest në burg” për 11 prej zyrtarëve të arrestuarave dhe për autorin Sokol Mjacaj. Ndërkohë vetëm një zyrtar i burgut, u la me masën ‘detyrim paraqitjeje’, pasi kishte një fëmijë të paralizuar.
Nga ora 10:00, nën masa të rrepta sigurie, Sokol Mjacaj, autori vrasjes së Arben Lleshit doli sot para Gjykatës së Elbasanit, së bashku me 12 zyrtarët e burgut të Peqinit dhe ata të arrestuar pas vrasjes në qeli të Arben Lleshit më 15 dhjetor 2023.
Këta të fundit akuzohen se kanë shkelur rregullat e sigurisë në burg, që nga moskryerja e kontrolleve ndaj të dënuarit Mjacaj, i cili lëvizte prej të paktën 20 ditësh me armë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.
Seanca ka zgjatur për orë të tëra, teksa pala mbrojtëse ka kërkuar që dosja të ndahet sipas funksioneve që kishin zyrtarët në burg. Sipas pretendimeve të saj, mbrojtja ka theksuar se dosja s'mund të jetë e përbashkët, pasi disa zyrtarë shërbejnë në sektorë të tjerë, jo ku ndodhi ngjarja.
Ndër të tjera ata kanë shtuar se drejtori i burgut ka dërguar prej kohësh shkresa për mos funksionimin e sistemit të monitorimit.
“Burgu i Peqinit ishte shndërruar në hotel. Kishte shumë mangesi në funksionim”, kanë deklaruar ata.
Masat e miratuara, arrest me burg janë për: Sokol Mjacaj, Kamber Hoxha, Qani Muça, Nikolin Gjonpali, Arben Dulellari, Ilir Balla, Florenc Mile, Fatos Pire, Genci Muça, Klement Haka, Erjon Çilaj, Indrit Dubali.
Ndërkohë kujtojmë se në dëshminë e dhënë më parë përpara hetuesve, Mjacaj ka deklaruar se vrasjen e kreu pas një sherri banal me Arben Lleshin dhe pasi mësoi nga të burgosurit e tjerë se do të izolohej në qelitë e 41-bisit, shkoi për të vrarë në qelinë ku ai qëndronte. 28-vjeçari është pyetur edhe për porosinë që dyshohet se e ka marrë nga jashtë.
Ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se vrasja ka ndodhur pas një sherri që ka pasur me viktimën. Hetuesit kanë dyshime se Mjacaj është porositur nga persona të tjerë për vrasjen e Lleshit dhe për këtë kanë kryer edhe kontrolle në banesën e Mjacajt në Dukagjin, por edhe të vëllait të tij.
Gjithashut, mënyra e futjes së pistoletës me mulli në burg ka mbetur mister, megjithatë, dyshimet janë se kjo është bërë me anë të pakove të ushqimeve gjatë kohës që skanerët nuk punonin. Kontrolli në hyrje të burgut gjatë kësaj kohe është bërë manualisht nga punonjësit ndërsa skanerët janë vënë në punë vetëm pak ditë më parë, pasi Sokol Mjacaj kishte arritur të pajisej me armën që përdori në krim./Pamfleti
Lini një Përgjigje