Dyshimet janë se atentati ka ndodhur për shkak të pazareve të drogës.
Një shqiptar ka rënë pre e një atentati në Belgjikë.
44-vjeçari shqiptar është qëlluar me armë zjarri në një kafene mbrëmjen e së dielës rreth orës 22:30.
Një burrë me kapuç ka ecur drejt lokalit, ka kaluar para viktimës, është kthyer dhe më pas ka qëlluar katër herë, duke përfshirë dy herë në kokë.
Më pas ka ikur. Viktima ndodhet në gjendje kritike për jetën, njoftoi prokuroria e Brukselit përmes një komunikate për media.
“Prokuroria publike e Brukselit ia ka referuar një gjyqtari hetues akuzën për atentat në tentativë.
Në vendngjarje ka dalë gjyqtari hetues i shoqëruar nga zëvendësprokurori i Mbretit në detyrë dhe laboratori i policisë gjyqësore federale në Bruksel.
Hetimi, i cili iu besua seksionit të vrasjeve të policisë gjyqësore federale në Bruksel, është në vazhdim, me qëllim përcaktimin e rrethanave të sakta të këtyre fakteve, kontekstin e tyre dhe kapjen e autorit(ve)”, njoftoi prokuroria e Brukselit.
Dyshimet janë se atentati ka ndodhur për shkak të pazareve të drogës. Shqiptarët kanë hyrë fuqishëm në Belgjikë, pasi kanë kapur portin e Antwerp.
Pak kohë më parë gazeta britanike “Mirror”, shkruante se porti i famshëm belg sot kontrollohet nga shqiptarët të cilët qarkullojnë përmes tij sasi të konsiderueshme kokaine, të fshehur në kontenierët që ngarkohej në anije në drejtim të Britanisë së Madhe.
Sipas gazetës ngarkesa të mëdha me lëndë narkotike kalojnë nën hundën e rojeve. “Droga e klasit A vjen në Antëerp nga Kolumbia, duke u fshehur në pllaka mermeri dhe trarë prej druri, të ngarkuar në kontejnerët e anijeve”, shkruan gazeta.
Sipas saj, më pas situatën e marrin në dorë shqiptarët, duke e transportuar atë drejt Londrës aty ku tregu është më joshës, çmimet e larta dhe sigurisht që edhe fitimi.
Trafikantët kanë zbuluar se është relativisht e lehtë për t’u përdorur Antëerp si një portë hyrëse për kokainën në drejtim të Britanisë. “Stafi i Portit bën më të mirën dhe ka zbuluar sasi të mëdha droge, por nuk kanë mundësi të kontrollojnë gjithçka. Ata janë duke e humbur luftën dhe mund të quhen fitues vetë në disa ‘beteja’ të vogla”.
Lini një Përgjigje