Refuzimi i Trump për ta bërë përgjegjës Putinin, retorika e tij e rrezikshme që e fajëson Zelenskyn, dhe qëndrimi i tij ndaj një lufte që ka shkatërruar miliona jetë, duhet të jetë një këmbanë e fortë alarmi për të gjithë ata që kujdesen për demokracinë dhe lirinë...
Deklaratat e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili fajëson presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për luftën në Ukrainë, nuk janë vetëm absurde, por edhe tejet të rrezikshme. Në një podcast me sipërmarrësin Patrick Bet-David, Trump pohoi se Zelensky “duhet ta kishte parandaluar këtë luftë me të gjitha mënyrat”, duke e quajtur atë një “humbës”, ndërsa nuk la pa përmendur edhe presidentin Joe Biden, të cilin e akuzoi për “inkurajimin” e luftës.
Me vetëmburrje, Trump deklaroi se lufta nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse ai do të ishte ende në Shtëpinë e Bardhë. Këto përfundime nuk janë thjesht dhe vetëm një shtrembërim qesharak i fakteve, por edhe një paralajmërim i frikshëm i asaj që mund të ndodhë nëse Trump kthehet sërish në Shtëpinë e Bardhë.
Fajësimi i Zelenskit për luftën është një keqinterpretim themelor - ose një shtrembërim i qëllimshëm - i konfliktit në Ukrainë. Kjo luftë, nuk ishte diçka që Ukraina “e lejoi” të ndodhte. Ishte një pushtim i provokuar nga Rusia, i urdhëruar nga Vladimir Putin për të rivendosur kontrollin perandorak mbi një komb sovran.
Me gjithë sulmet e ashpra të Rusisë, qytetarët ukrainas nuk janë dorëzuar asnjëherë, duke vazhduar të luftojnë edhe sot e kësaj dite me trimëri, për të mbrojtur me çdo kusht atdheun e tyre. Të deklarosh se Zelensky, një lider i futur me përdhunë në një luftë ekzistenciale për mbijetesën e kombit të tij, mund ta kishte parandaluar luftën, është jo vetëm e palogjikshme, por edhe thellësisht fyese për miliona ukrainas që humbën shtëpitë dhe të dashurit e tyre.
Pra njerëzit, që vazhdojnë ende t’i mbijetojnë këtij konflikti brutal. Në thelb, retorika e Trump e kthen viktimën në një agresor. Ky diskurs, shpërfill parimin themeltar të sovranitetit kombëtar, të cilin Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur gjithmonë.
Po ashtu, ai e dëmton rendin ndërkombëtar që mbron vendet më të vogla nga agresioni i shteteve më të fuqishme - një rend që ka siguruar stabilitet global që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore. Duke e fajësuar Zelenskyn, Trump po minon të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe po rishkruan historinë, për t’iu përshtatur një narrative nga e cila përfiton vetëm Putin.
Edhe më shqetësues, është fakti se duke i analizuar me thellë, deklaratat e Trump pasqyrojnë retorikën e Moskës. Kremlini është përpjekur vazhdimisht të fajësojë Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë për luftën, duke e portretizuar nga ana tjetër Rusinë si viktimë të ekspansionit perëndimor dhe rezistencës ukrainase.
Narrativa e Trump se Zelensky është përgjegjës për konfliktin, përshtatet në mënyrë të përkryer me këtë fushatë dezinformimi. Përfundimet që ai nxjerr, ngrenë gjithashtu pikëpyetje thelbësore se përse ai refuzon të dënojë drejtpërdrejt Putinin, ndërsa provat e krimeve të luftës ruse në Ukrainë janë të tmerrshme.
Është e nevojshme të ngrihet pyetja:Pse Trump ngurron të kritikojë Vladimir Putinin, një diktator që filloi një luftë pushtuese në tokën evropiane në shekullin XXI-të? Pasojat e luftës janë mizori barbare, për të cilat shumë njerëz besonin deri dje se ishin relike të së shkuarës:varre masive, sulme me raketa ndaj civilëve dhe një përpjekje për të zhdukur identitetin e një kombi.
E megjithatë, Trump, i cili dikur u përball me akuzat se ishte afruar shumë me Putinin, vazhdon që ta largojë fajin nga Moska. Mos ndoshta Trump i detyrohet diçka Putinit? Apo mos ndoshta ai admiron llojin e pushtetit autokratik që zotëron Putin, dhe parashikon një rrugëtim të ngjashëm për veten e tij?
Nëse Trump do të rizgjidhej sërish president i SHBA-së, shumëçka do të ishte në rrezik për Ukrainën dhe mbarë botën. Gjatë presidencës së tij, Trump ka kërcënuar vazhdimisht NATO-n, që gjithnjë ka qenë një gur-themeli për sigurinë evropiane, duke hedhur idenë e një tërheqjeje të plotë të SHBA-së nga aleanca.
Nëse ai do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, nuk do ishte çudi që ta braktiste plotësisht Ukrainën, duke e lënë këtë vend të vetëm në luftën kundër agresionit rus. Një skenar i tillë, nuk do t’i jepte krahë vetëm Rusisë, por do të inkurajonte edhe shumë autokratë dhe diktatorët në mbarë botën.
Kina mund ta interpretojë këtë si një dritë jeshile për pushtimin e Tajvanit, duke ditur se nën drejtimin e Trump, SHBA nuk do të kishte gjasa të dilte në mbrojtje të ishullit. Regjimet autoritare në vende si Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela, mund të inkurajohen gjithashtu të ndërmarrin veprime agresive, duke e ditur se demokracia kryesore në botë udhëhiqet nga dikush që duket se simpatizon diktatorët dhe jo forcat që mbështesin lirinë.
Fitorja e Trump do të garantonte mosndëshkueshmëri për Putin, i cili do të shmangte përballjen me drejtësinë mbi krimet monstruoze si pasojë e luftës së tij në Ukrainë. Një mandat i dytë i Trump, mund të çojë në normalizimin e aneksimit rus të territoreve të Ukrainës, duke e legjitimuar pushtimin e dhunshëm në epokën moderne.
Kjo do të ishte një goditje më pasoja katastrofike për ligjin dhe rendin ndërkombëtar, pasi fuqitë e tjera mund të ndiqnin shembullin e Rusisë në mosrespektimin e kufijve dhe sovranitetit. Evropa në veçanti, mund të përballej me një destabilitet të ri, pasi regjimi rus do të vazhdonte përpjekjet e tij për rivendosjen e sferës së vjetër të ndikimit sovjetik, pa pasur frikën e pasojave serioze që mund t’i vinin nga SHBA-ja.
Një nga aspektet më befasuese të deklaratës së Trump, është mungesa e ndjeshmërisë për popullin ukrainas. Për gati 3 vjet, ukrainasit kanë luftuar jo vetëm për mbijetesën e vendit të tyre, por edhe për vlerat e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe lirinë - vlera të cilat Perëndimi pretendon se i mbështet.
Ata kanë treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme përballë vështirësive të paimagjinueshme, nga rrethimi i Mariupolit deri tek sulmet me raketa në Kiev, dhe tmerret e Bucha-s. Populli ukrainas nuk e kërkoi këtë luftë, dhe as nuk e “lejoi”. Ata janë viktima të agresionit të Putinit, dhe po bëjnë një luftë që nuk e kanë zgjedhur.
Etiketimi që Trump i bën këtij konflikti si “lufta e humbësve”, është një fyerje e madhe për mijëra ukrainas që kanë humbur jetën duke mbrojtur vendin e tyre. Deklaratat e tij, janë gjithashtu një shuplakë për miliona ukrainas që janë larguar nga vendi i tyre, kanë humbur të afërmit dhe kanë përjetuar tmerret e luftës.
Ta karakterizosh këtë luftë si dështim të Zelenskyt, dhe jo si rezultat i drejtpërdrejtë i agresionit të Putinit, do të thotë ta shpërfillësh koston e vërtetë njerëzore të këtij konflikti. Komentet e Trump shkojnë përtej papërgjegjshmërisë. Ato janë të rrezikshëm sepse e zhvendosin fajin nga agresori te viktima dhe mjegullojnë diskursin ndërkombëtar.
Deklarata të tilla e minojnë solidaritetin global ndaj Ukrainës dhe e dobësojnë vendosmërinë e kombeve që e kanë kundërshtuar me vendosmëri agresionin rus. Duke ngritur dyshimin se kush është përgjegjës për luftën, Trump po i siguron karburantin e nevojshëm propagandës së Kremlinit që synon minimin e unitetit perëndimor dhe zhbërjen e vullnetit të vendeve që mbështesin Ukrainën.
Për më tepër, pretendimet e përsëritura të Trump, se lufta nuk do të kishte ndodhur nën presidencën e tij, nuk janë asgjë më shumë se sa një fantazi egoiste. Nuk ka prova që Trump, presidenca e të cilit është karakterizuar nga një gatishmëri shqetësuese për t’u afruar me autokratët, do ta kishte frenuar Putinin.
Në fakt, mund të thuhet se qasja mbarëbotërore e Trump ndaj politikës së jashtme, e cila shpesh i shpërfill parimet për përfitime personale, e ka bërë atë më të prirur të injorojë agresionin rus. Ndaj pasojat e një rikthimi të mundshëm të tij në pushtet do të ishin shumë të thella.
Në rast se Trump i fiton zgjedhjet e vitit 2024, kjo mund të sjellë një epokë të errët në politikën ndërkombëtare, ku regjimet autoritare fitojnë besim, demokracia bie dhe ku sundimi i forcës e zëvendëson sundimin e ligjit. Në një botë të tillë, kombet më të vogla si Ukraina do të ishin të dobëta ndaj pushtimit, dhe institucionet ndërkombëtare që kanë siguruar paqen dhe stabilitetin që nga Lufta e Dytë Botërore, mund të shpërbëhen.
Refuzimi i Trump për ta bërë përgjegjës Putinin, retorika e tij e rrezikshme që e fajëson Zelenskyn, dhe qëndrimi i tij ndaj një lufte që ka shkatërruar miliona jetë, duhet të jetë një këmbanë e fortë alarmi për të gjithë ata që kujdesen për demokracinë dhe lirinë.
Nëse diskutojmë mbi këtë qasje tani, nesër mund të zgjohemi në një botë ku autokratët do të sundojnë pa pasoja, dhe ku idealet e lirisë dhe drejtësisë bëhen relike të së shkuarës.
Përballë një mundësie të tillë, ne duhet të qëndrojmë në krah të Ukrainës më të fortë se kurrë - jo vetëm sepse lufta e tyre është e drejtë, por sepse lufta e tyre është edhe lufta jonë. E ardhmja e demokracisë varet pikërisht nga kjo./Përshtati Pamfleti nga “Kyivpost”
Lini një Përgjigje