TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Gusht 2024, 18:39

Tre kujtime të paharrueshme nga Ismail Kadare!

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Tre kujtime të paharrueshme nga Ismail Kadare!

Nuk ishte as pak i zymtë, kishte humor të hollë e qeshte ëmbël. Nuk lejonte ti afrohej asnjë formë e banalitetit.

Sot të gjithë folëm në tavolinat e restorantit “Piaca” ku u mblodhëm për të kujtuar Ismail Kadarenë duke ja ndierë mungesën e konfirmuar prezencën mes nesh.

Askush prej nesh nuk qe aty për t’i përcaktuar atij statusin në letrat shqipe apo ato botërore, për atë është kujdesur vetë, si bir i talentit të tij gjenial me veprën shumë dimensionale që i la qytetërimit tonë.

Ndoshta ishim aty si dëshmitar kush më shumë e kush më pak të një marrëdhënieje njerëzore ku secili sipas këndvështrimit të tij ka gjithmonë diçka për të rrëfyer.

Personalisht e kam filluar komunikimin me shkrimtarin si lexues i tij nga fundi i viteve 80 ku mes rreshtave kërkonim rrugë për lirinë e mohuar dhe horizonte për shpresat tona, duke na ndikuar në të menduar, në të shkruar e në të folur.

Po ashtu e mbase më tepër pas viteve 90 tek vepra e tij ndonjëherë të zhgënjyer nga realitetet që jetonim po aty kërkonim udhëzuesin, modelin, parimet e mbi të gjitha krenarinë intelektuale të një Shqiperie që mes shumë mundimesh dëshironte të bëhej si gjithë Europa!

Në pranverën e vitit 2005 kur po mbyllja ciklin e studimeve në universitetin “La Sapienza” me një punim mbi letërsinë fantastike ku objekt studimi kisha “Kush e solli Doruntinën?” i them profesorit udhëheqës Francesko Mucioli si mendon nëse arrij ti marr një interviste Kadaresë për të ballafaquar analizën tonë me atë çka ai vete mendonte për subjektin dhe personazhet e tij. Më pa më habi “sei matto” ( je i marrë ) më tha me dashamirësi, si mund ti afrohesh një ciklopi të tillë- duke shtuar – do të ishte një mrekulli nëse ja del”?

U ulem dhe bashkarisht shkruam 13 pyetje dhe fati e desh që në Romë ato ditë qëlloi miku Mark Marku i cili ma mori përsipër se do e provonte duke i shpjeguar Kadaresë se i duheshin për një shok në këto rrethana!

Pas pak ditësh më vjen posta, një zarf me emrin e Markut përsipër.

Ismail Kadare me shkrim dore u ishte përgjigjur pyetjeve të mia! Duke i pasur ato faqe ndjeva sigurinë e diçkaje që koleget e mi nuk e kishin.

Po atë vjeshtë me Ardian Ndrecën profesorin e Urbanianes së Romës e takuam në shtëpinë e tij në Tiranë. Nga ajo ditë lindi një raport për mua unik. Nuk mund të them se e kisha mik Ismail Kadarenë, më duket fjalë e madhe, e pamerituar, sidomos kur e dëgjoj të përdoret pa doganë pas vdekjes së tij me lehtësinë e ditës, edhe pse shpesh na ftonte për dreka e darka në shtëpinë e tij në Tiranë e Qerret për gjatë viteve apo vinte tek tonat, ne grupin kulturor të filologjikut Mark Markun, Persida Asllanin, Dhurata Shehrin! Interesohej për kurrikulat, mësimdhënien, kritiken, librat në qarkullim, rrymat, revistat. E ndiqte kohen kulturore të vendit të tij me vëmendje të madhe. Temë të preferuar shpesh me ne kishte derivat e gjuhës shqipe, qëndrimet e debatet.

Nuk ishte as pak i zymtë, kishte humor të hollë e qeshte ëmbël. Nuk lejonte ti afrohej asnjë formë e banalitetit.

E konsideroj veten të privilegjuar me fat si dëshmitar i disa bisedave mes tij dhe At Zef Pllumit.

Aty ka qenë edhe zonja Helena Kadare! Shqipëria e klerit katolik, e burgjeve të komunizmit në vete të parë shkruesi, bartësi i memorieve dhe shkrimtari i pazakontë e i përbotshëm gjeten sintoni, forcë e dëshirë për tu bashkuar në trashëgimitë e mëdha duke respektuar diversitetin.

Pader Zefi dhe Babazoti i “Çështje të marrëzisë” vëllezër në roman të ndarë gjatë nga hipostazat shqiptare më në fund takohen , të tillë dukeshin në bisedë. Nuk ndahej më në letërsia po i afronte subjekte bashkëkohësisë apo kjo e fundit u bë letërsi.

Mbi varrin simbolik të Fishtës në Kishën e Fretenve të Giuhadolit në Shkoder në 2007, ku Kadare shfaqej i menduar At Zefi i afrohet e i thotë me gegnishten e tij kumbuese të cilën nuk di ta flas si ai “Nigjo Ismail unë jam i vjetër e drejt fundit por sa të kem frymë kam me të mbështetë, kam me kenë në krahun tan në llogoren europiane të shqiptarëve.

Qysh në kohen e Ismail Qemalit e Princ Vidit, qytetnimi europian ka pasë anmiq në Shqipni e nuk i janë da kurrë, aktivizohen si shpirtna të këqij sa herë ajo afrohet, kanë me të sulmue egërsisht”! Ishte koha kur eseja “Mbi identitetin europian të shqiptarëve” kishte shkaktuar dallgët e veta.

Vjet në verë e takova për të fundit herë në një darkë korriku, ishte zonja Helenë dhe Alda Bardhyli unë me familjen time. Në të shumtën e kohës fliste me time bijë Sofinë atij moti 11 vjeç dhe jo me ne të rriturit.

Gjithmonë kam menduar mbi këtë takim të fundit dhe zgjedhjen e tij për të biseduar më gjatë me një fëmijë. Ai kishte gjithmonë një mesazh për të ardhmen e kështu do të mbetet shkrimtari që i flet asaj në krye të “Çetës së Profetenve”!

Në këtë drekë për të e pa të këto me erdhën në mend!

Lini një Përgjigje