TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Gusht 2024, 14:07

A është gati Bota për pandeminë e radhës?

Shkruar nga Michael T.Osterholm & Mark Olshaker

A është gati Bota për pandeminë e radhës?

Më pak se 5 vite pas Covid-19, bota mbetet ende e rrezikuar nga një pandemi tjetër.

Gjatë 5 muajve të fundit, një lloj virusi i grupit H5N1, i zbuluar tek bagëtitë e qumështit përbën një rrezik potencial për një virus që mund të shkaktojë pandemi.

Por qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, kanë bërë shumë pak për t’u përgatitur për një skenar të tillë, pavarësisht mësimeve që duhet të kishin nxjerrë nga beteja globale me Covid-19.

Pasi kriza shëndetësore e 4-5 viteve të fundit, nxori në pah mangësitë e sistemit global të reagimit të shëndetit publik, shumë ekspertë supozuan se qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare do të përpiqeshin të ndreqnin problemet më të dukshme.

Duke pasur parasysh kostot katastrofike njerëzore dhe ekonomike që shkaktoi pandemia, vendet kishin një nxitje të madhe për të filluar të shpenzonin shumë për zhvillimin e gjeneratave të reja të vaksinave më mbrojtëse ndaj gripit dhe koronavirusit, por edhe për të zgjeruar në një masë të madhe rrjetet globale të prodhimit dhe shpërndarjes së tyre.

Mjerisht kjo gjë nuk ka ndodhur. Me nivelet aktuale të financimit, ka të ngjarë të duhet një dekadë ose më shumë për të zhvilluar vaksina më efektive dhe më jetëgjata. Megjithëse aktualisht ka grupe studiuesish që po punojnë për trajtime të reja anti-virale, në përgjithësi, shoqëria globale nuk duket të jetë shumë më e përgatitur për një pandemi të ardhshme të koronavirusit ose gripit sesa ishte 5 vjet më parë.

Rishfaqja e gripit H5N1 tek njerëzit dhe kafshët i ka nxjerrë në pah këto dështime. Edhe pse virusi u identifikua që në vitet 1990, gjatë 20 viteve të fundit ai ka vazhduar të pësojë mutacione, duke e ri-shpikur veten vazhdimisht. Sot, ai po infekton miliona zogj, por është bërë më i aftë të përhapet edhe tek të paktën 40 lloje gjitarësh.

Ai nuk mund të transmetohet ende lehtësisht mes njerëzve. Por infeksionet tek bagëtitë që prodhojnë qumësht, të cilat kanë receptorë të gripit si për viruset e gripit të shpendëve ashtu edhe për viruset e influencës njerëzore në sisat e tyre, bartin rrezikun e një pandemi të re.

Është e pamundur të dihet me siguri se kur do të shfaqet ajo, apo cili patogjen specifik do të jetë shkaktari. H5N1 është vetëm një nga viruset që mund të ndryshojë në diçka që do të shkaktojë një pandemi. Por në fund, një pandemi e re do të shpërthejë. Prandaj është koha të distancohemi nga rekomandimet e paqarta dhe të ecim drejt praktikave më të mira dhe një programi shumë më të gjerë që synon prodhimin e vaksinave të reja dhe më të mira, barnave anti-virale dhe kundërmasave të tjera, si dhe ndërtimi ie infrastrukturës në shkallën e nevojshme për të mbrojtur popullata të tëra.

Qeveritë duhet të nisin të investojnë shumë në kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave, duke përfshirë studimet që synojnë krijimin e vaksinave universale të gripit dhe koronavirusit:ato që ofrojnë mbrojtje kundër shtameve të shumta të secilit virus, ofrojnë mbrojtje të qëndrueshme për periudha të gjata dhe mund të prodhohen shpejt dhe të shpërndahen globalisht.

Për të qenë plotësisht efektive, vaksinat e përmirësuara duhet të jenë të sigurta dhe të ofrojnë mbrojtje shumëvjeçare kundër shumicës së shtameve të mundshme të gripit. Ato duhet të zvogëlojnë ndjeshëm gjasat e sëmundjeve të rënda, shtrimit në spital dhe vdekjes, si dhe të parandalojnë infeksionin dhe transmetimin.

Ato duhet të prodhohen dhe t’i jepen rregullisht popullatës së përgjithshme, përpara se të shfaqet një virus pandemik, dhe të jenë lehtësisht të disponueshme në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Mjerisht, studiuesit janë ende shumë larg krijimit të një vaksine të tillë, megjithëse zhvillimet aktuale në laborator sugjerojnë se është e mundur.

Por me nivelin aktual të mbështetjes për kërkimin dhe zhvillimin, mund të duhen një dekadë ose më shumë për të krijuar këto vaksina. Me një mbështetje shumë më të madhe të qeverive, ky afat kohor mund të shkurtohet.  Kostoja e masave të tilla do të jetë e lartë.

Por një pandemi e re mund të jetë shumë më vdekjeprurëse ose më e kushtueshme se një luftë e re, dhe qeveritë rrallëherë i shmangen shpenzimeve mbi çdo gjëje që konsiderohet e nevojshme për armë të reja dhe më të mira. Siguria biologjike, është po aq e rëndësishme sa siguria ushtarake, dhe Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë idenë se mund të hyjnë në luftë kundër një armiku mikrobik potencialisht shumë më të rrezikshëm sesa çdo armik i imagjinueshëm njerëzor.

Por derisa të krijohen këto vaksina universale ose pothuajse universale, politikë-bërësit do të duhet të punojnë me vaksinat e disponueshme aktualisht, si ato të gripit dhe kundër Covid-19. Këto vaksina janë të mira, por jo të shkëlqyera. Për shembull, ato kufizuan sëmurjen dhe vdekjet e shkaktuara nga gripi H1N1 në vitet 2009-2010 dhe gjatë pandemisë së Covid-19, por mbrojtja që ofrojnë kundër infeksionit ndryshon shumë. Por ashtu, edhe efektiviteti i vaksinave kundër gripit varion nga më pak se 20 deri në 60 për qind për çdo sezon të gripit.

Për me tepër vaksinat kundër Covid-19 dhe gripit nuk kanë qëndrueshmëri. Në një studim të fundit, CDC-ja amerikane zbuloi se vaksinat kundër Covid-19, siguruan rreth 54 për qind mbrojtje kundër nevojës për kujdes mjekësor mesatarisht 52 ditë pas vaksinimit. Sipas një studimi tjetër, vaksina i humbet pothuajse të gjitha fuqitë e saj mbrojtëse pas një viti.

Në përgjigje të këtyre mangësive, duke filluar nga viti 2019, Qendra për Kërkimin dhe Politikën e Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës, ka udhëhequr një përpjekje për të koordinuar kërkimin dhe zhvillimin e vaksinave të rejave sezonale dhe universale kundër gripit. Deri tani, ajo ka identifikuar më shumë se 420 projekte që adresojnë të paktën një nga këto synime strategjike, me një vlerë totale mbi 1.4 miliardë dollarë, ku agjencitë qeveritare të SHBA që financojnë afro 85 për qind të këtyre studimeve.

Kohët e fundit, Autoriteti i Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (BARDA) i dha 176 milionë dollarë kompanisë Moderna-s për të zhvilluar një vaksinë kundër gripit pandemik të bazuar tek mRNA dhe që synon shtamet e shumta të virusit.

Është urgjente që qeveritë e tjera të nisin të mendojnë në të njëjtën mënyrë për gatishmërinë ndaj pandemisë. Sigurisht, është ende e mundur që një pandemi e tillë të mos shfaqet kurrë, ose të paktën mos ndodhë për shumë vite. Por shpresa nuk është një strategji.

Ndaj Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës me të ardhura të larta dhe të mesme, duhet të fillojnë menjëherë t’i kushtojnë burimet e nevojshme zhvillimit të vaksinave, trajtimeve dhe kundërmasave të tjera më të mira./Përshtati Pamfleti nga “Foreign Affairs”

Shënim: Michael T.Osterholm, profesor dhe drejtor i qendrës për Kërkimet dhe Politikat ndaj Sëmundjeve infektive në Universitetin e Minesotas, SHBA. Mark Olshaker, shkrimtar dhe regjisor dokumentarësh.

a është gati bota për pandeminë e radhës

Lini një Përgjigje