TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Gusht 2024, 11:31

Cili është qëllimi i vërtetë i ofensivës së Ukrainës në Rusi?

Shkruar nga Svitlana Morenets

 Cili është qëllimi i vërtetë i ofensivës së

Pushtimi i Kurskut e pengon Rusinë të dërgojë njësi shtesë në Ukrainë, po e dëmton logjistikën e saj ushtarake, poshtëron Putinin dhe po i jep Ukrainës një mjet të mundshëm për të negociuar...

Mëngjesin e të hënës, Vladimir Putin u informua për pushtimin e guximshëm të Ukrainës të një pjese të territorit rus. Përballë krerëve të ushtrisë, ai njoftoi se Kievi kishte zbatuar urdhrin e padronëve të tij perëndimorë, por Moska do t’ia dalë të “asgjësojë” trupat që ishin dërguar në Kursk.

Ky mesazh u transmetua drejtpërdrejt nga Kremlini, për t’i siguruar qytetarët rusët se presidenti e ka nën kontroll situatën. Por më pas gjithçka filloi të shkonte keq. Alexei Smirnov, guvernatori në detyrë i rajonit të pushtuar të Kurskut, pritej të jepte detaje të evakuimit të suksesshëm të banorëve.

Por në vend të kësaj, ai foli me tone alarmante për përmasat e humbjeve. Ukrainasit, tha ai, kishin pushtuar një territor 13 km në thellësi të Rusisë dhe me një gjerësi 40 km. Rreth 28 qytete dhe fshatra ruse kishin rënë në duart e ushtrisë ukrainase. Putini, dukshëm i irrituar, e ndërpreu atë duke thënë se Ukraina synon thjesht të “përmirësojë pozicionin e saj negociues në të ardhmen”.

Për këtë ndoshta ka të drejtë. Sulmi ndaj Kurskut i befasoi edhe vetë ukrainasit. Kur Volodymyr Zelensky tërhoqi njësitë elitare nga rajoni i Donetsk, segmenti më i përgjakshëm në vijën e frontit, për t’i dërguar përtej kufirit rus, reagimi fillestar ishte zemërimi. Por nga zemërimi u kalua tek gëzimi, kur operacioni rezultoi të ishte përparimi i parë ushtarak i Ukrainës prej një kohe shumë të gjatë.

Por shumëkush përtej Ukrainës ishte i hutuar. A nuk do të sillte ky sulm humbje të jetës së ushtarëve dhe pajisjeve perëndimore aq shumë të vlefshme? Megjithatë, ofensiva e Kurskut nis që të ketë kuptim, kur mendon se Zelensky po përgatitet për një betejë diplomatike.

Ky operacion e ka rritur ndjeshëm moralin e trupave, pas më shumë se një viti mbrojtje të përgjakshme. Gjatë kësaj periudhe, forcat superiore ruse përparuan dalëngadalë, ndërsa ukrainasit po tërhiqeshin. Ushtarët me të cilët bisedova në vijën e frontit muajin e kaluar, ishin të rraskapitur dhe të dëshpëruar. Disa nuk kishin pushuar për më shumë se dy vjet.

Ndërkohë rekrutët e rinj po vinin shumë ngadalë. Kishte shumë pak armë, dhe shumë të vrarë. Vija e frontit rus dukej e padepërtueshme. “Shumë njerëz nuk mendojnë se do të fitojmë, ata e kanë humbur shpresën”- më tha një nga ushtarakët që drejton mbrojtjen e qytetit kufitar Vovchansk.

Por tashmë mendimet kanë ndryshuar. Një sondazh i fundit, tregoi se 44 për qind e civilëve ukrainas mbështesin “bisedimet e paqes” me Rusinë, megjithëse ngurrojnë të pranojnë lëshime. Por nëse bisedimet do të nisin një moment, sa i fortë do të ishte pozicioni i Zelensky-t?

Suksesi i tij më i fundit ishte çlirimi i rajoneve Kharkiv dhe Kherson në vitin 2022. Kundërsulmi i shumëpritur i Ukrainës vitin e kaluar dështoi. Tani ai përballet me perspektivën e një presidence të Donald Trump në SHBA, e cila do ta privonte Ukrainën nga mbështetja e saj kryesore dhe ta detyronte të ulej në negociata.

Nëse Zelensky-t i kishte mbetur ndonjë kartë për të luajtur, ai duhej ta luante pikërisht tani. Sulmi ndaj Kursk, ishte inkursioni i parë në tokën ruse që nga Lufta e Dytë Botërore. Territori ishte pothuajse tërësisht i pambrojtur, sepse Rusia i ka hedhur të gjitha forcat e saj në vijën e frontit në Ukrainë. Paketa e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh e SHBA-së ka nisur të mbërrijë.

Kievi mori disa avionë lufarakë amerikanë F-16, dhe i përdori armë perëndimore për të goditur zonat kufitare ruse. Që nga 6 gushti, janë pushtuar të paktën 985 km2 të territorit rus. Oleksandr Syrskyi, shefi i ushtrisë ukrainase dhe organizatori i operacionit, pretendoi të mërkurën se janë pushtuar 74 vendbanime ruse.

Thuhet se shefi i ushtrisë së Putinit, Valery Gerasimov, ishte paralajmëruar nga shërbimet sekrete për lëvizjet e trupave ukrainase pranë kufirit dy javë para sulmit, por ai i hodhi poshtë si të pabesueshme. Rojet kufitare ruse bënë një rezistencë minimale, dhe shumë nga rekrutët e rinj u dorëzuan pa luftë.

Mediat sociale u mbushën shumë shpejt me video të të burgosurve të luftës që hipeshin nëpër kamionë. Ukraina kapi rob më shumë se 100 trupa ruse në më pak se një ditë, dhe ata do të jenë pjesë e shkëmbimit të të burgosurve. Disa prej tyre kërkuan të shkëmbeheshin me luftëtarët e Brigadës Azov që mbahen në burgjet ruse që nga rënia e Mariupolit dy vjet më parë.

Në vend se të bënte gjithçka për të mbrojtur territorin e tij, Putin urdhëroi një evakuim, duke ofruar nga 90 paund për secilin që pranonte të braktiste shtëpinë. Më shumë se 180.000 rusë vepruan kështu, por shumë të tjerë qëndruan. Megjithatë, avionët rusë nisën të bombardojnë qytetet e tyre.

Trupat ukrainase pësuan humbje, por përparimi i tyre nuk u ngadalësua seriozisht. Më pas, ndodhën më shumë mësymje në rajonin Belgorod. Guvernatori i saj shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të mërkurën në mëngjes, dhe nisi evakuimin e banorëve.

Në pak ditë, trupat ukrainase kanë pushtuar më shumë territor se sa kanë kapur rusët gjatë gjithë vitit. Edhe disa aleatë duken entuziastë nga ky zhvillim. Senatori republikan Lindsey Graham, i bëri thirrje administratës Joe Biden të anulojë kufizimet në përdorimin e armëve amerikane.

Kievi thotë se me këtë kundërsulm synon të mbrojë rajonet kufitare të Ukrainës, dhe të shpërndajë sa më shumë burimet dhe trupat ruse. Por fakt është se ky operacion po vë jo pak nën presion edhe vetë ushtrinë e Zelensky-t. Ushtarët e tij janë duke ndërtuar fortifikime në tokën e pushtuar, një shenjë se synojnë të qëndrojnë për një fare kohe në tokën ruse.

Ukrainë nuk ka bërë asnjë pretendim për tokat e pushtuara (në krahasim me Putinin, që mbajti një ceremoni për të pretenduar aneksimin e 4 rajoneve pjesërisht të pushtuara të Ukrainës). Ajo mund të synojë t’i përdorë si një mjet pazari në negociata. Shprehja “bisedime për paqen”, është parë prej kohësh në Ukrainë si sinonim i zbutjes së qëndrimit ndaj Putinit.

Edhe tani, është tabu një ide e tillë. Sondazhet thonë se gati gjysma e ukrainasve beson se bisedimet janë të nevojshme, por ta pranosh këtë në publik do të shihej si disfatiste. Politikanët guxojnë vetëm të lënë të nënkuptohet “arritjen e paqes”, por nuk thonë kurrë se do të negociojnë me Rusinë.

Edhe në mediat sociale të Ukrainës (që janë të pa censuruara) cilido që propozon “bisedime për paqen”, mund të përballet me një lumë fyerjesh dhe kërcënimesh. Ky term shihet ende i barasvlefshëm me kapitullimin. Kjo sepse ukrainasit e kujtojnë mirë atë që ka ndodhur me traktatet e “paqes” në të kaluarën.

Ushtarët e Ukrainës, e dinë se perspektiva e fitores mund të jetë e vogël, por alternativa është t’i lënë familjet e tyre në mëshirën e pushtuesve. Por 2 vjet e gjysmë lufte në shkallë të plotë, ka zbehur në heshtje çdo shpresë realiste për dëbimin e trupave ruse nga të gjitha tokat e Ukrainës, pa pasur mbështetjen e duhur nga Perëndimi.

Në këto kushte, ata duhet të zgjedhin midis rezistencës së pafund dhe negociatave. Por nëse negociatat do të ndodhin, është thelbësore që ato të nisin vetëm kur të vijë momenti i duhur.

Zelensky nuk flet më për çlirimin e të gjithë tokave të pushtuara me forcë. Ai ka filluar të deklarojë se ato mund të rimerren edhe në rrugë diplomatike.

Ndërkohë Putin thotë se sulmi ukrainas në Kursk, e bën të paimagjinueshëm çdo lloj bisedimi.

Po si mund të dilet nga ky ngërç? Është ende e paqartë se çfarë do të thotë për Ukrainën një presidencë e Kamala Harris. Ndërkohë plani i Trump ka filluar që të marrë formë.

Dy nga këshilltarët e tij kryesorë, Keith Kellogg dhe Fred Fleitz, hartuan një strategji për të muajin e kaluar. Hapi i parë është detyrimi i Putinit që të negociojë, duke kërcënuar nëse nuk e bën, Kievit do t’i jepet e gjithë mbështetja ushtarake që i nevojitet. Hapi i dytë, do të ishte ngrirja e konfliktit në linjat ekzistuese të betejës.

Luftimet do të ndaleshin, por as Ukraina dhe as dikush tjetër nuk do të duhej të pranonin sundimin e Rusisë (si Qiproja veriore, e cila është nën pushtimin e paligjshëm turk që nga viti 1974). Por operacioni në Kursk i ka ndryshuar linjat e frontit, ndaj nëse Putin do të donte kufijtë e para Kurskut, ai do të detyrohet të heqë dorë nga diçka tjetër.

Zelensky planifikon të bëjë publike një agjendë për një konferencë të re paqeje në nëntor, pikërisht në kohën e zgjedhjeve në SHBA. Deri atëherë, Ukraina duhet të pushtojë një territor rus sa më të gjerë dhe ta mbajë atë për një kohë të mjaftueshme, gjë që do të jetë e vështirë dhe e kushtueshme.

Vetë Putin ka shumë arsye për të negociuar. Shërbimi sekret i ushtrisë britanike, vlerëson se gjysmë milioni trupa ruse janë vrarë ose plagosur. Rekrutimet e reja janë të vështira, pavarësisht bonuseve që arrijnë në 3.500 paund, ose 5 herë më shumë se paga mesatare mujore në Rusi. Pushtimi i Kurskut e pengon Rusinë të dërgojë njësi shtesë në Ukrainë, po e dëmton logjistikën e saj ushtarake, poshtëron Putinin dhe po i jep Ukrainës një mjet të mundshëm për të negociuar./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”

qëllimi i vërtetë i ofensivës së ukrainës në rusi

Lini një Përgjigje