TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Prill 2026, 19:32

Si zbriti Giorgia me "këmbë në tokë”: Aleanca me Trump më e kushtueshme se përfitimet

Shkruar nga Pamfleti
Si zbriti Giorgia me "këmbë në tokë”: Aleanca me
Giorgia Meloni dhe Donald Trump /

Meloni ka ndërtuar një imazh të qëndrueshëm si lidere pragmatike, duke ruajtur balancat mes Brukselit dhe Uashingtonit. Por ndryshimi i klimës politike në Europë dhe rënia e popullaritetit të Trump po e vënë në provë këtë ekuilibër. Ajo që dikur ishte avantazh, tani po shndërrohet në një barrë politike.  

Për më shumë se tre vjet, udhëheqja e Giorgia Melonit në Itali është dukur e palëkundur. Si kryeministrja e parë grua e vendit të saj, ajo e la pas retorikën e së kaluarës së saj të ekstremit të djathtë dhe qeverisi me një qasje pragmatike e të qëndrueshme.

Vlerësimet e saj në opinionin publik mbetën të stabilizuara dhe skandalet ishin të rralla - një përjashtim i dukshëm në një vend të mësuar me paqëndrueshmëri politike. Që nga fillimi i mandatit të dytë të Donald Trump, ajo është përpjekur të pozicionohet si një lidere që mund të ruajë marrëdhënie të mira me të, pa rrezikuar përplasjen me institucionet e BE-së, të cilat mbikëqyrin borxhin e lartë publik të Italisë.

Ky ka qenë një ekuilibër delikat, por të cilin ajo e ka menaxhuar me aftësi. Por ndërsa popullariteti i Trump ka rënë në Europë ndjeshëm dhe vendet europiane kanë filluar të tregojnë më shumë vendosmëri në raport me të, Meloni po e kupton tani se të qenit e preferuara e presidentit amerikan mund të kthehet në barrë.

Ajo u ngjit në pushtet në vitin 2022, vetëm 6 muaj pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, me një platformë të djathtë të fortë dhe në krye të një koalicioni ku kishte edhe zëra hapur pro-rusë.

Megjithatë, shumë shpejt ajo i zbuti shqetësimet e liderëve europianë që e shihnin si një tjetër Viktor Orbán. Italia jo vetëm që e ka mbështetur Ukrainën me ndihmë ushtarake, por është edhe pjesë e të ashtuquajturit “koalicion vullnetarësh”, një grupim vendesh që janë angazhuar për të garantuar sigurinë e Ukrainës pas një armëpushimi.

Në marrëdhënien me Trump, Meloni arriti të shmangte luhatjet mes nënshtrimit dhe përplasjes që kanë karakterizuar disa liderë të tjerë europianë, si kryeministri britanik Keir Starmer.

Ajo dukej se kishte fituar një lloj besimi të qëndrueshëm nga Trump - pjesërisht falë stilit të saj: bashkëpunues, por jo servil; pjesërisht për shkak të afërsisë ideologjike. Nuk është aspak rastësi që ajo ishte e vetmja udhëheqëse europiane në detyrë që mori pjesë në inaugurimin e tij.

Vetë Trump e ka quajtur “një udhëheqëse të madhe dhe një mike”. Megjithatë, figura e Trump është bërë gjithnjë e më problematike në Evropë. Gjatë një fjalimi në parlament më 11 mars, Meloni deklaroi se Italia “nuk po merr pjesë” në ndërhyrjen në Iran dhe “nuk ka ndërmend të marrë pjesë”, duke e cilësuar situatën si pjesë të një sistemi ndërkombëtar “në krizë”.

Kur Trump kërkoi mbështetje europiane për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, përgjigjet nga liderët kryesorë ishin të ftohta. Kancelari gjerman Friedrich Merz e bëri të qartë se përfshirja ushtarake e Gjermanisë “nuk shtrohet fare në diskutim”.

Edhe më 20 mars, Meloni u shpreh prerë: “Askush nuk po shqyrton një mision ushtarak italian për të thyer bllokadën e ngushticës”. Ndërkohë, mbështetja për Trump në Itali ka rënë ndjeshëm - në rreth 19 për qind, ose gati gjysma e nivelit të një viti më parë.

Opinioni publik është fuqimisht kundër përfshirjes në konfliktin me Iranin. Rritja e çmimeve të energjisë po godet konsumatorët dhe bizneset, ndërsa bujqësia po vuan nga mungesa e plehrave kimike. Në këto kushte, përfitimet nga afrimi me Trump duken gjithnjë e më të paqarta.

Ky perceptim u reflektua edhe muajin e kaluar, kur një referendum për reformën në drejtësi u kthye në një test politik për qeverinë. Pjesëmarrja ishte më e lartë se sa pritej dhe kampi i “Jo”-së fitoi me rreth 54 për qind.

Për herë të parë, Meloni u duk e cenueshme dhe opozita ndjeu se kishte një hapësirë për të vepruar. Deri tani, qeveria e saj kishte kaluar pothuajse e paprekur përmes një sërë skandalesh: nga një aferë seksuale që përfshinte Ministrin e Kulturës, te hetimet për mashtrim ndaj ministrit të turizmit, çështje të diskutueshme ekstradimi dhe dënime për zyrtarë të lartë.

Madje, vlerësimi i saj publik ishte rritur nga 41 për qind në vitin 2024 në 45 për qind në fund të vitit 2025. Por ky “muaj mjalti”, që ka zgjatur më shumë se zakonisht, duket se

ka marrë fund. Pas referendumit, Meloni detyroi dorëheqjen e Ministrit të Turizmit dhe të një nënsekretari të dënuar, edhe pse këto çështje nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me reformën.

Së fundmi, raportohet se Italia refuzoi lejen për avionë ushtarakë amerikanë që të përdornin një bazë në Siçili për operacione drejt Lindjes së Mesme, për shkak të mungesës së autorizimit formal - ndonëse qeveria mohoi çdo lloj lidhje me tensionet me Uashingtonin.

Italianët kanë një fjalë të urtë shumë të vjetër: “Nga armiqtë mbrohem vetë; nga miqtë më ruajtë Zoti!”. Në Evropën e sotme, kostoja e të qenit mike e Trumpit po i tejkalon gjithnjë e më shumë përfitimet./Pamfleti nga “New York Times”

giorgia meloni donald trump aleanca e kushtueshme

Lini një Përgjigje