TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Janar 2026, 10:52

Si të shmanget “Iraku” në Venezuelë

Shkruar nga Jake Wallis Simons
Si të shmanget “Iraku” në Venezuelë
Venezuela /

A do të përfundojë aventura e Venezuelës si Afganistani, apo do të jetë një Irak tjetër? Në sytë e shumicës së analistëve, këto duket se janë të vetmet opsione, të cilat kushtojnë triliona dollarë dhe mijëra jetë njerëzish, ndërsa nuk kanë arritur shumë sukses, sidomos në rastin e Afganistanit.

Është e qartë se nëse Venezuela do të jetë realisht historia e suksesit që do të donte Shtëpia e Bardhë, nuk mund të ketë alternativë ndaj modelit të Panamasë. Disa kanë përmendur edhe shembullin e përmbysjes së Kolonel Gadafit në Libi në vitin 2011, pas së cilës sundimi i ligjit u shemb, lulëzoi trafikimi i qenieve njerëzore dhe destabiliteti u përhap në të gjithë rajonin. Madje një analist përmendi operacionin “Mbështet Demokracinë” të vitit 1994, që e thelloi varësinë e Haitit nga ndihma e huaj dhe e la atë një nga shtetet më të rrezikshme, të paqëndrueshme dhe të varfra të botës. Duket se perspektivat për venezuelianët nuk janë të mira.

Duke raportuar nga ai vend i zhytur në kaos, gjeta numrin e ndërmjetësit tim lokal. “Të gjithë dje ishin shumë të shqetësuar. Rrugët ishin bosh. Sot presim të njëjtën gjë”- më tha ai përmes ËhatsApp. Do ta kisha të vështirë të bindja dikë në vend të shfaqej në podcastin tim, The Brink, shtoi ai, pasi frika është shumë e madhe.

Ata kanë të drejtë që të jenë të shqetësuar. Por shumica e vëzhguesve duket se e kanë anashkaluar shembullin më të rëndësishëm historik, i cili ndodh të jetë gjithashtu ai që ofron jo vetëm një plan për rindërtimin e Venezuelës, por edhe një burim të rëndësishëm shprese. Le të flasim për Panamanë. Më 20 dhjetor 1989, nën drejtimin e Xhorxh Bushit të Vjetër, Shtetet e Bashkuara pushtuan dhe përmbysën shpejt regjimin autoritar të gjeneralit Manuel Noreiga, një trafikant droge i dënuar, që drejtonte atë që quhej një “republikë bananesh”. Deri tani, gjithçka është e ngjashme.

Sot ajo është një demokraci liberale në lulëzim dhe një nga vendet më të qëndrueshme në rajon. Panamaja - e cila ndahet nga Venezuela vetëm nga Kolumbia - përfiton nga inflacioni historikisht i ulët, pagat e larta dhe PBB-ja më e lartë për frymë nga çdo shtet tjetër i Amerikës Latine.

Papunësia është relativisht e papërfillshme dhe pavarësisht sfidave të vazhdueshme të korrupsionit dhe ndërhyrjes politike në menaxhimin e shtetit, vendi është një histori suksesi e jashtëzakonshme. Po si ndodhi kjo mrekulli? Përgjigje: planifikimi i mirë.

Menjëherë pas operacionit “Just Cause” (Çështja e Drejtë), në të cilin një forcë prej 27.000 trupash amerikane përmbysën Noriegën brenda pak javësh, u vu në zbatim strategjia e pasluftës nën emrin e koduar “Operacioni Promovimi i Lirisë”.

Duke parë dokumentet e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, që e sqarojnë në detaje fushatën, mund të dallohen 3 mësime kryesore për administratën Trump. Së pari, faza e ndërtimit të kombit, filloi brenda pak ditësh nga pushtimi, madje edhe para se të ndërpriteshin luftimet.

Burrat dhe gratë e para të Batalionit të 96-të të Çështjeve Civile, mbërritën në Panama më 22 dhjetor 1989, vetëm 2 ditë pasi kishin filluar luftimet. Rezistenca e fundit nuk do të zhdukej deri në mesin e janarit, kohë kur qindra ekspertë të tjerë civilë amerikanë kishin zbarkuar në këtë vend. Në atë moment kaotik, mënyra se si Shtetet e Bashkuara kapën levat e kontrollit që në fillim ishte çelësi i tranzicionit të qetë drejt stabilitetit.

Me një shpejtësi mbresëlënëse, u ndërmor një operacion humanitar. Vetëm gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, më pak se një javë pas pushtimit, punonjësit e ndihmës qeveritare dhe trupat e forcave speciale ndihmuan në shpërndarjen e 1.660 ton ushqime dhe 218 ton furnizime mjekësore.

U ngrit një kamp për të strehuar personat e zhvendosur, duke furnizuar me ushqim 5,000 njerëz. Kjo do të ishte një ndihmë e madhe për Venezuelën, një shtet që po shkon drejt kolapsit të plotë.

Kur kam raportuar nga atje në të kaluarën, kam parë me sytë e mi radhët e mëdha jashtë supermarketeve të furnizuara dobët, të mbikëqyrura nga gangsterë me armë automatike; fëmijët që vdesin nga kanceri në spitale ku kanë mbaruar ilaçet; dhe familjet që vdesin urie në zonat rurale.

Tani që regjimi ka rënë, një plan ndihme do ishte shumë i domosdoshëm. Po ku është ai? Në shembullin panamez, përgjegjësia kaloi shpejt nga gjenerali Uilliam Hertzog, i cili kishte udhëhequr pushtimin, tek komandanti i Batalionit të 96-të të Çështjeve Civile, me një dorëzim të detajuar të detyrës tek kolegët e tij në kohë paqeje.

Kjo na çon tek leksioni i dytë: përpikmëria amerikane. Sipas dokumenteve të kohës, detyrat e dhëna zyrtarëve civilë përfshinin: rivendosjen e funksioneve themelore në të gjithë Panama City, krijimin e një force policore, sigurimin e shpërndarjes së ushqimit në raste urgjente, krijimin e një roje nate duke përdorur helikopterë me reflektorë, mbrojtjen e pronës, mbikëqyrjen e kontraktorëve panamezë në pastrimin e qytetit, rivendosjen e prodhimit dhe shpërndarjes së gazetave dhe zhvillimi i një organizate bazë për t’ia ‘shitur’ publikut qeverinë e re”.

Ndërsa kryengritjet guerile vazhdonin ende dhe plaçkitjet po përhapeshin gjerësisht, komandanti i task-forcës bashkëpunoi me kolonelin e sapoemëruar Roberto Armijo, të një administrate të re, për të rekrutuar vullnetarë për detyrë policore.

Megjithatë, kjo nuk u krye në mënyrë të shpejtë; kandidatët, shumica e të cilëve ishin zgjedhur nga radhët e policëve ose ushtarëve të regjimit, u shqyrtuan me kujdes dhe nga 400 burrat që paraqitën kandidaturën, vetëm 160 u pranuan. Kjo qasje e gjithanshme u reflektua gjatë gjithë operacionit.

Për shembull, një vëmendje e veçantë iu kushtua asaj që ishte bërë e njohur që nga emergjenca malajane si “fitimi i zemrave dhe mendjeve”. Ekspertët e operacioneve psikologjike, hartuan një strategji për të bindur publikun që të mbështeste udhëheqjen e re, si dhe për të bindur guerilasit për kotësinë e rezistencës së mëtejshme.

Sipas dokumenteve, fushata propagandistike ishte hartuar me kujdes sipas një liste mesazhesh kryesore: “Trupat amerikane ishin vendosur për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve amerikanë; trupat amerikane do të ndihmonin presidentin e ri të formonte një qeveri që i përgjigjej vullnetit dhe aspiratave të popullit; mosmarrëveshjet e SHBA-së ishin me Noriegën dhe jo me popullin panamez; forcat amerikane do të largoheshin sapo qeveria e re të merrte pushtetin; Shtetet e Bashkuara do të shpërblenin ata që ndihmonin në gjetjen e udhëheqësve të regjimit të vjetër dhe depove të armëve; dhe një shpërblim prej 1 milion dollarësh do t’i jepej kujtdo që kapte Noriegën dhe ua dorëzonte atë forcave amerikane”.

Gjatë vitit 1990, trazirat u shuan, u rrit besimi tek amerikanët dhe filloi të lulëzonte stabiliteti. Duke ecur përpara me një ritëm të shpejtë, por të arsyeshëm, fokusi strategjik u zhvendos në ndërtimin e kombit. Në atë kohë, në vend kishte gati 17.000 trupa luftarake amerikane dhe 9.500 ushtarakë nga Komanda Jugore.

Këta u ridislokuan gradualisht, duke i lejuar teknokratët të merrnin frenat e vendit, të mbështetur nga forcat speciale. Faza e parë e operacionit “Promovimi i Lirisë”, ishte përqendruar në sigurinë publike, shëndetin dhe masat e kontrollit të popullsisë.

Por më vonë, amerikanët morën përgjegjësinë për sfidat afatgjata me të cilat përballej qeveria e re panameze, si rindërtimi i tregtisë, fitimi i mbështetjes publike për reformat dhe ristrukturimi i forcave të sigurisë në organizata të ndara policore, doganore dhe mbrojtëse.

Dhe kjo na çon tek mësimi i tretë dhe i fundit për administratën Trump, i cili qëllon të jetë edhe më i rëndësishmi: angazhimi. Në përgjithësi, amerikanët mbetën të angazhuar në Panama për 4 vjet e gjysmë, duke investuar shumë në burime, si financiare ashtu edhe njerëzor.

Po si ndodhi kjo mrekulli në Panama? Gjykuar nga kjo që shohim sot, ia vlejti patjetër; lulëzimi relativ i Panamasë sot është dëshmi e kësaj. Por në atë kohë, rindërtimi i shtetit të shkatërruar ishte një shpenzim i konsiderueshëm për buxhetin federal.

Është e qartë, se nëse Venezuela do të jetë historia e suksesit që Shtëpia e Bardhë do të donte të shihte, nuk mund të ketë alternativë tjetër ndaj modelit të Panamasë. Është e vërtetë se midis dy vendeve ka dallime të konsiderueshme.

Venezuela është 12 herë më e madhe se Panamaja, me një popullsi 6 herë më të madhe, dhe bota është më shumëpolare dhe e paqëndrueshme sesa në vitet 1990, dhe kjo jo vetëm falë stilit të çrregullt qeverisës të presidentit të 47- të SHBA-së.

Megjithatë, 3 parimet e shpejtësisë, planifikimit të përpiktë dhe angazhimit afatgjatë, do të ishin një pjesë e domosdoshme e çdo përpjekjeje të suksesshme për ta çuar atë vend të rrethuar, abuzuar dhe të bukur drejt një epoke stabiliteti. Përveçse nëse Trump është më i interesuar për Grenlandën.../Përshtati Pamfleti

si të shmanget iraku në venezuelë venezuela iraku shba

Lini një Përgjigje