TAGS-AT E JAVËS

Forum 5 Janar 2026, 11:05

Nga Putin te Trump e Xi: Bota në duart e krimit të organizuar

Shkruar nga Mattia Feltri
Nga Putin te Trump e Xi: Bota në duart e krimit të organizuar
Xi, Putin dhe Trump /

Nuk është e saktë të thuhet se kemi kaluar nga forca e ligjit në ligjin e forcës. Kur ka qenë ndonjëherë planeti i sunduar nga ligji? Historia na tregon se gjithmonë ka qenë i sunduar nga armët. Dallimi i sotëm është se kjo nuk fshihet më: çdo akt piraterie shpallet i ligjshëm dhe, për pasojë, i mundur.

Ka dy dallime kryesore midis Vladimir Putinit në Ukrainë dhe Donald Trumpit në Venezuelë. I pari dështoi të eliminonte Volodimir Zelenskin pas 4 vite luftë, ndërsa të

dytit i mjaftuan vetëm 4 orë për të rrëzuar nga pushteti Nikolas Maduron.

Dallimi tjetër është se Putini synonte të shkatërronte një demokraci të brishtë, në proces perëndimorizimi, ndërsa Trump eliminoi një nga diktatorët më të neveritshëm të kohës sonë, për arsye gjeopolitike, ekonomike, energjetike dhe të sigurisë kombëtare, duke përfshirë edhe trafikun e drogës dhe emigracionin.

Nga këtu, dallimet zhduken dhe mbeten ngjashmëritë, duke filluar me hipokrizinë e përbashkët që të dy përdorin për të ruajtur një lloj fasade. Për Putinin ajo që po zhvillon ndaj Ukrainës nuk është luftë, por një “operacion ushtarak special”.

Edhe për Trumpin nuk është luftë, por “zbatim i një urdhri gjyqësor amerikan”, siç deklaroi edhe Sekretari i Shtetit Marko Rubio. Pra praktikisht një operacion policor. Surrealizmi arrin kulmin kur Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani, teorikisht një kampion i liberalizmit, e quan ndërhyrjen e Trumpit “operacion special”, duke përdorur terminologjinë e Putinit.

Fakti që Trump rrëzoi një diktator - manipulues zgjedhjesh, torturues kundërshtarësh, trafikant droge, njeri që la popullin e tij të uritur - e bën moralisht më të pranueshëm “operacionin special”, por jo ligjërisht të justifikuar.

Nuk është e qartë se çfarë juridiksioni kanë Shtetet e Bashkuara mbi Venezuelën, apo cili nen i kodit i lejon amerikanët të qëndrojnë në Karakas për të menaxhuar tranzicionin e pushtetit. Nëse gjykimi ndaj një regjimi mjafton për të legjitimuar hyrjen në një vend, arrestimin e kreut të shtetit dhe vendosjen në krye një tjetri, atëherë secili mund të veprojë sipas dëshirës.

Disa analistë kanë bërë paralele me vitin 1945, kur SHBA-ja mbeti në Evropë për të mbikëqyrur lindjen e demokracive pas diktaturave fashiste. Por atëherë Shtetet e Bashkuara sapo kishin fituar një luftë ku ishin përfshirë pas agresionit japonez në bazën e Pearl Harbor.

Deklaratat e udhëheqësve evropianë dhe ndërkombëtarë - Ursula Von der Lejen që premton mbështetje për popullin venezuelian; Antiono Guterres që paralajmëron për një “precedent të rrezikshëm”; Emanuel Makron që flet për çlirim; Xhorxha Meloni që nuk sheh ndonjë problem; Friedrih Merc që e quan çështjen ligjore dhe shumë komplekse; Keir Starmer që kërkon të bisedojë me Trump - tregojnë se problemi nuk është thjesht shkelja e së drejtës ndërkombëtare, por fakti që kjo shkelje po relativizohet, minimizohet ose justifikohet.

Prej kohësh është përdorur shprehja se nuk jetojmë më nën sundimin e ligjit, por nën ligjin e forcës. Tingëllon bukur, por është pa kuptim. E kur ka qenë ndonjëherë bota e sunduar nga jurisprudenca?

Pas Luftës së Dytë Botërore u shpresua se do të ishte kështu, me Nurembergun dhe themelimin e OKB-së. Por vetëm figura të dorës së tretë kanë përfunduar në gjykatat ndërkombëtare, ndërsa rendi botëror ka vazhduar të mbështetet tek luftërat: nga Lufta e Ftohtë, Vietnami, Koreja, Afganistani, pushtimet e Budapestit dhe Pragës, Noriega, dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, sërish Afganistani dhe pastaj Iraku.

Iraku i vitit 2003 e ilustron shumë qartë këtë dështim. Kolin Pauell e gënjeu OKB-në me epruvetën e famshme për të justifikuar pushtimin e këtij vendi, duke u përpjekur ta mbështeste brenda një kuadri rregullash.

Trump nuk e ka këtë problem: ashtu si Putin edhe ai nuk i njeh më rregullat. Hipokrizia e vetme që i ka mbetur është të mos e quajë luftën “luftë”. Së shpejti do të jetë radha e Xi Jinping në Tajvan, por edhe për të nuk do të jetë luftë.

Ai e ka thënë shumë herë: është çështje e brendshme, siç ishte Hong Kongu, me partitë, gazetat dhe demokracinë e eliminuar. Hipokrizia e madhe e bazuar tek besimi se bota qeverisej nga sundimi i ligjit, e ruante të paktën fasadën, impononte justifikime minimale dhe krijonte përshtypjen se nuk mund të bëhej gjithçka.

Nga e shtuna kjo ide ka rënë: tani çdo gjë mund të bëhet, sepse është bërë një normë. Siç tregojnë Von der Lejen, Makron, Meloni, Merc dhe të tjerë me reagimet e tyre, fuqitë e mëdha kanë synuar gjithmonë që ta ndajnë botën mes tyre. Sot, këtë e bën krimi i organizuar./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”

trump putin xi bota në duart e krimit të organizuar

Lini një Përgjigje