Kaotikë ndaj Ukrainës dhe Gazës, liderët evropianë duhet të ndërtojnë një arkitekturë të re të sigurisë...
Njëzet e shtatë shtetet anëtare janë të përçara midis tyre. Bashkimit Evropian ka qenë vazhdimisht i paaftë për të krijuar një strategji ndaj Izraelit në veçanti dhe Lindjes së Mesme në përgjithësi. Projektimi i vlerave të tij në rajon nuk është sa për sy e faqe.
I tillë është edhe angazhimi i saj për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin Izrael-Palestinë. Edhe tani, me atë që po ndodh me Gazën dhe aneksimin e fundit të paligjshëm të territorit nga Izraeli në Bregun Perëndimor të pushtuar, BE-ja mbështet ende një zgjidhje me dy shtete.
Në një mënyrë shumë patetike, ajo do të vendosë kufizime udhëtimi për kolonët hebrenj që po vrasin palestinezë në Bregun Perëndimor. A thua se kjo do të dëmtonte vërtet qeverinë ultra-nacionaliste të Benjamin Netanyahut.
Duke lënë mënjanë Izraelin, strategjia e BE-së për blerjen e regjimeve në Egjipt, Tunizi dhe Turqi për të frenuar flukset e emigrantëve në Evropë, konfirmon qartë paaftësinë e bllokut për të krijuar një politikë koherente emigracioni. Delegimi i detyrave tek të tjerë është në rendin e ditës në Bruksel.
Më afër shtëpisë, Evropa duhet të jetë në një pozicion më të mirë për të vepruar në një mënyrë strategjike. Megjithatë, 10 vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, fqinjit të drejtpërdrejtë të BE-së, Evropa nuk ka krijuar asnjë strategji për t'i dhënë fund luftës.
Ajo nuk ka strategji se si të merret me Rusinë. Apo si t’i japë mundësi Ukrainës që të fitojë. Mbi të gjitha, ajo nuk ka asnjë strategji për të menaxhuar ndikimin e luftës në stabilitetin, sigurinë, dhe dekurajimin e NATO-s në Evropë. Merrni pak parasysh politikën e Evropës ndaj Rusisë.
Lufta e Ftohtë formësoi një strategji perëndimore të bazuar tek parandalimi. Me kalimin e viteve, bashkëjetuan ulja e tensioneve me parandalimin e luftës. Shtetet e Bashkuara ishin vendimtare, ashtu si edhe Gjermania. Udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Gjermanisë e mbështetën uljen e tensioneve me Moskës në kurriz të mbështetjes së lëvizjeve disidente në Evropën Qendrore dhe Lindore të drejtuar nga komunistët.
Status quo-ja kishte përparësi. Fatmirësisht këto vende tani janë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Megjithatë, pika e dobët e Evropës mbetet Ukraina, edhe pse ky vend mban çelësin e sigurisë dhe stabilitetit evropian. Ndërsa Rusia po vazhdon luftën, Evropa nuk është e gatshme të bëjë hapin e duhur drejt sigurimit të fitores së Ukrainës.
Për këtë ka lloj-lloj justifikimesh. Evropiano-qendrorët, shtetet baltike dhe vendet në Evropën Juglindore që iu desh të duronin një pushtim ndëshkues sovjetik pas vitit 1945 e dinë se çfarë është në rrezik: sovraniteti dhe pavarësia. Dhe kjo shpjegon mbështetjen e tyre të qartë për Kievin, me përjashtim të Hungarisë.
Ndërkohë evropian-perëndimorët, pasi kanë gëzuar lirinë, prosperitetin dhe sigurinë pas vitit 1945, të mbështetur nga ndihma ekonomike amerikane dhe ombrella e saj e sigurisë, nuk e kanë ndryshuar ende mendimin e tyre kur bëhet fjalë për Rusinë.
Ky mendim, i mbështetur nga disa segmente me peshë në partisë Socialdemokrate të kancelarit gjerman Olaf Scholz, bazohet në idenë se mund të negociohet me Moskën në kurriz të integritetit territorial të Ukrainës. Kjo status quo mbizotëron ende.
Presidenti francez Emmanuel Macron nuk e beson më këtë gjë. Gjatë vitit të kaluar, ai e ka ndryshuar rrënjësisht qasjen e tij ndaj Ukrainës dhe Rusisë. Ai ka parashtruar pse Ukraina duhet patjetër ta fitojë këtë luftë.
Në këtë kuadër ai ka shtuar furnizimin e saj me raketa dhe armë. Më në thelb - dhe ky nuk është rasti kur Macron po përfiton nga lufta për të nxitur pikëpamjet e tij mbi autonominë strategjike - ai mendon se Evropa ka nevojë për një strukturë të re të sigurisë për t’u përballur jo vetëm me situatën në Ukrainë, por edhe për t'u përgatitur për ditën kur të ndryshojë angazhimi i SHBA-së ndaj sigurisë së Evropës.
Për momentin idetë e tij janë të paqarta. Gjithsesi Macron ka të drejtë që i ngre këto çështje. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, ka direkt lidhje me të ardhmen e sigurisë së Evropës si dhe me aftësinë e saj për të mbrojtur veten. Gjermania nuk e ka kuptuar ende se përse Ukraina duhet të fitojë në këtë luftë.
Scholz nuk ka qenë i gatshëm të distancohet nga nostalgjia e partisë së tij mbi lidhjet e ngushta me Rusinë. Ai duhet të jetë në fakt udhëheqësi evropian që duhet të artikulojë qartë se çfarë do të thotë kjo luftë për kontinentin.
Bëhet fjalë për fundin e epokës së pas Luftës së Ftohtë. Por edhe për fundin e besimit të socialdemokratëve se Rusia duhet të jetë pjesë e çdo arkitekture sigurie evropiane. Scholz po e lakmon ende regjimin e vjetër, status quo-në e vjetër të bazuar tek parashikueshmëria.
Kjo e fundit është e tepërt, në mos anakronike. Atëherë, a do të veprojë në të ardhmen Evropa në mënyrë strategjike? Për një kohë shumë të gjatë, ajo ka qenë reaguese dhe jo pro-aktive. Garancia e sigurisë e SHBA-së inkurajoi vetëkënaqësinë dhe shpenzimet minimale për mbrojtjen nga shumë vende evropiane.
Të veprosh në mënyrë strategjike do të thotë të dish të lexosh në kohë shenjat paralajmëruese. Do të thotë të kesh një infrastrukturë të integruar të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë për të vlerësuar saktë kërcënimet. Por ka të bëjë edhe me strategjinë e parandalimit dhe mësimit nga ngjarjet e kaluara.
Lufta e pamëshirshme e Vladimir Putinit në Çeçeni, lufta e tij në Gjeorgji, pushtimet e tij në Ukrainë, mbështetja për regjimin në Bjellorusi dhe luftërat e tij të përhapura keq-informuese, por edhe sulmet kibernetike dhe kimike, me siguri që janë të mjaftueshme për ta bërë Gjermaninë dhe pjesën tjetër të BE-së të kuptojnë pse ka rëndësi rezultati i luftës në Ukrainë.
Vetëm reagimi nuk është më një opsion. Prioritet duhet të bëhet strategjia. Dhe që të ndodhë kjo, evropianët duhet të krijojnë një arkitekturë sigurie që e kupton se si Rusia po e përmbys stabilitetin e Evropës. Ukraina po na e tregon se çfarë na duhet. Një strategji./Përshtati Pamfleti nga “Carnegie Europe”
Lini një Përgjigje