TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Prill 2024, 15:57

Në PD, mungon arsyeja dhe logjika politike

Shkruar nga Artur Ajazi

Në PD, mungon arsyeja dhe logjika politike

Askush nuk besonte se, një ditë Berisha nuk do të kishte forcën të vinte në rresht gjithë kundërshtarët e tij.

Parti, quhet një grupim njerëzish që bashkëpunon rreth një plani të përbashkët politiko-social, partia është një lidhje e lirë, ku respektohet mendimi, veprimi, dhe vullneti politik i krijuesve dhe qytetareve që e mbështesin. Deri këtu, mendoj se këtij përkufizimi i takojnë edhe partitë e krijuara pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri. Por ajo që ka ndodhur vit pas viti në Shqipëri, ku njëra parti ndahej, tjetra bashkohej, apo dhe një tjetër krijohej nga e para, ka bërë që të prishet imazhi mbi “pluripartizmin” deri diku. Kjo për faktin sepse, shumë shpejt në Shqipëri, ata që “demek krijuan partitë e tyre”, ja panë hajrin pushtetit apo dhe politikës përmes saj. Sot pas afro 33 vitesh, kanë ndryshuar shumë mënyra se si funksionojnë së brendshmi partitë, pasi nuk është më koha kur “diktati i kreut”, ishte ligj për ata poshtë.

Duke dalë konkretisht tek Partia Demokratike, besoj se askush nuk e kishte menduar se, ajo do të katandisej kështu siç është katandisur sot. Askush nuk besonte se, një ditë Berisha nuk do të kishte forcën të vinte në rresht gjithë kundërshtarët e tij. E ndarë në “copa-copa”, ku dikush thotë “jam kryetari”, një tjetër thotë “jam kreu i grupit parlamentar”, apo një tjetër surprizon se “vula na takon ne, ndaj na jepni edhe selinë që na grabitët”, sot është vënë në pikëpyetje fakti se, a është vërtetë parti kjo forcë e shpërndarë politike.

Ekzistojnë 2 grupime parlamentare, dy kryetare, 4 nënkryetarë, 2 këshilla kombëtare, 2 palë anëtarësi, nën të njëjtin flamur, sigël, apo dhe simbolikën e “dy gishtave lart”. Atëherë, pse duhet ta quajmë parti, dhe jo “grupime të veçanta të një ish-partie”. Berisha, Bardhi, Basha, Alibeaj, Noka, apo dhe emra të tjerë, janë sot emrat e debateve në sallën e Parlamentit, jo për të zgjidhur “hallet e popullit”, por për të treguar para nesh se, kush është kryetari, nënkryetari, sekretari, etj..etj.. Vitet rrokullisen dhe bashkë me ato, edhe fati i një partie që po rrënohet si pjesë e një lufte klanore, krahinore dhe bajraktariste.

Askush nga ata nuk ka mendësi të moderuar, pasi secili mendon për të ardhmen e mandatit dhe pasurive që ka. Duke e spostuar betejën për vulën, selinë, anëtarësinë dhe postin e kreut të partisë nga brenda saj, në Parlament, gjykata dhe faqe gazetash, duket se as Berisha nuk e kishte menduar se, PD-ja do të thërrmohej kaq keq, sa do të ishte e pamundur t’i mblidhje bashkë një ditë. Votuesi i sotëm, nuk beson më tek imagjinata e kryetarit të një partie “X”, por tek realiteti i prekshëm, tek premtimet e mbajtura dhe konsolidimi i vazhdueshëm i një force të përgjegjshme politike. Asnjë nga këto kushte nuk përmbush sot PD-ja, atëherë pse duhet ta quajmë akoma parti politike?

Lini një Përgjigje