TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Prill 2024, 17:54

Çfarë e tremb Altin Dumanin? Pse nuk arreston “bajlozët e policisë” të lidhur me bandat?

Shkruar nga Myslim Murrizi

Çfarë e tremb Altin Dumanin? Pse nuk arreston “bajlozët e

Po sikur të ketë një “memorandum” nga të gjitha institucionet që nuk do sjellin me kallëzime në SPAK, çfarë do bëni ju z.Dumani do ta mbyllni "dyqanin”?

Më habiti shumë sot me 4 deklaratat e tij drejtuesi i SPAK-ut z.Altin Dumani gjatë raportimit në KLP.

Nuk bashkëpunojmë me policinë për krimin e organizuar thotë se ka brenda policisë sidomos në nivele të lartë drejtuese individ të lidhur me botën e krimit!

Po pse nuk i ndiqni penalisht dhe pse nuk i arrestoni këta drejtues Altin?

Aq më shumë që i dini se kush janë këta drejtues policie në nivele të larta.

Se nuk besoj që të kesh folur kot siç bëjnë shpesh herë gazetarë apo analistë nëpër studiot e tv për të bërë lajm?

Dhe patjetër besoj qe ju kanë dalë nga përgjimet e 3335 personave që keni kryer gjatë vitit 2023 ose nga 1899 personat e botës së krimit!

Drejtues të lartë sot Altin në Policinë e Shtetit janë gjithsej rreth 20 individë.

Nga kush keni frikë që nuk i arrestoni këta që bashkëpunojnë me krimin?

Keni frikë nga krimi ku këta janë aksionerë apo nga Rama dhe Balla që mban në krye të Policisë së Shtetit ordinerë që punojnë për llogari të botës së krimit të organizuar?

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është z.Muhamet Rrumbullaku.

Nëndrejtor të Policisë së Shtetit janë z.Sokol Bizhga dhe z.Rebani Jaupi për rendin, z Neritan Nallbati për krimet dhe z.Sajmir Boshnjaku për kufirin.

Drejtor policie për krimin e organizuar është z.Mond Rizai.

Drejtor i operacionales që ndjek, survejon, heton, përgjon edhe në mënyrë ambientale është z.Vilson Bala.

Drejtor i antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është z.Alban Dautaj.

Drejtorët e Policisë në 12 qarqe z Altin janë: Tonin Voci në Tiranë, Edmond Sulaj në Shkodër, Artan Bajraktari në Kukës, Alfred Elezi në Lezhë, Dhimitraq Ziu në Dibër, Skënder Hida në Durrës, Ilir Proda në Elbasan, Lorenc Panganika në Fier, Kastriot Skënderaj në Berat, Gjovalin Loka në Korçë, Ermal Muça në Vlorë, Ardian Çipa në Gjirokastër.

Cilin nga këta keni frikë ju z.Dumani?

Cili, apo sa prej këtyre janë të inkriminuar apo bashkëpunëtorë me krimin e organizuar z.Dumani që ju trembeni për të bashkëpunuar se nuk ju besoni?

Nëse keni prova, fakte apo indicie nga përgjimet e elementeve të botës së krimit për secilin prej tyre dhe nuk i keni proceduar penalisht dhe akoma nuk i keni arrestuar, atëherë përgjegjësia penale, morale, publike, institucionale, shoqërore, etike dhe zyrtare bie vetëm mbi ju dhe mbi 17 prokurorët e tjerë të SPAK-ut që paguheni nga taksat e shqiptarëve më shumë se çdo zyrtar tjetër në Republikën e Shqipërisë përfshi dhe President e Kryeministër, për të luftuar krimin dhe korrupsionin jo me selektim, apo kë nuk keni frikë, apo kush nuk ju tremb, por kush është anëtar i botës së krimit apo hajdut ordiner i taksave të shqiptarëve.

Nuk keni asnjë të drejtë t’i bëni pis të gjithë publikisht për hatër të mungesës së kurajos dhe profesionalizmit tuaj për t’i treguar vendin llumit brenda policisë së Shtetit.

Nuk mund të flisni si sekretarët e partisë se punës në mbledhjen e frontit në përgjithësi për armiqtë e klasës apo për biografi të keqe sepse nuk jeni aty vlerësues të asnjë figure politike, shtetërore, administrative apo shoqërore por prokuror i Shtetit qe duhet të flasësh vetëm me fakte e prova konkrete dhe para Gjykatës jo para kamerave.

Ne KLP je për të dhënë llogari sepse KLP është eprori juaj jo organ në vartësinë tuaj dhe ndjej keqardhje për nënshtrimin e turpshëm të 11 anëtarëve të KLP që nuk ju ulën me këmbë në tokë e me bythë në atë karrige që ju kanë emëruar, por për interesa të ngushta personale rrinin sikur i kishe thirrur për t’i marrë në pyetje.

Nga i gjithë raportimi juaj sot Altin më befasuan katër deklaratat tuaja të cilat në rastin më dashamirës do t’i quaja mungesë profesionalizmi të theksuar ose delirantizëm dhe në rastin më të keq arrrogancë harbute, jashtë çdo norme të lejuar.

Ju deklaruat që Gjykata bën çfarë kërkoni ju dhe kjo është diktaturë komuniste dhe humbje e sovranitetit të Republikës Parlamentare e shndërrimi në Republikë Prokurorësh që është antikushtetuese hapur ose grusht Shteti ndaj Kushtetutës dhe Institucioneve.

Për këtë duhet të mblidhet urgjent Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe i Sigurisë Kombëtare dhe duhet të shohë me detaje shkeljen brutale të Kushtetutës dhe të reagojë ligjërisht menjëherë.

Ju deklaruat që keni dijeni për drejtues të lartë të policisë që kanë lidhje me botën e krimit dhe mos reagimi në bazë të ligjit për organin e akuzës dhe kodit penal ju ngarkon direkt me përgjegjësi penale dhe të gjithë drejtuesit e policisë kanë të drejtë t’iu padisin për shpifje publikisht dhe cenim moral të dinjitetit të tyre.

Ju deklaruat qe ka rënë numri i kallëzimeve pranë SPAK-ut nga institucionet shtetërore, pra po pranoni qe ju hetoni vetëm çfarë ju sjellin ndërkohë që detyrë që iu ngarkon ligji është fillimi i hetimeve kryesisht si primare pastaj çfarë denoncojnë institucionet, qytetarët, politikanët apo gazetarët, sepse SPAK-u nuk është si dogana e Gazhelit që pret kush “maune” vjen tek trau që t’i marrë taksën 20%.

Po sikur të ketë një “memorandum” nga të gjitha institucionet që nuk do sjellin me kallëzime në SPAK, çfarë do bëni ju z.Dumani do ta mbyllni "dyqanin”?

Si dhe ju i kërkuat KLP në gjysmën e mandatit tuaj, që prokurorët të kenë të drejtë të rizgjidhen edhe 9 vite të tjera kur këtë kompetencë e ka vetëm Parlamenti që duhet të ndryshojë Kushtetutën por që tregon hapur se secili nga ju po mendon qysh sot se ku do jeni pas 4 vitesh.

Dhe kjo tregon qe ju si SPAK keni filluar të mendoni politikisht se kush do jetë në pushtet pas 4-5 vitesh, e cili do jetë fati juaj në karrierë, prandaj shohim heshtje ndaj bajlozëve të mëdhenj dhe shou me drejtorë në burg.

Si një ish-deputet që kam votuar ligjet e reformës në drejtësi duke marrë mbi vete kosto politike, uroj të kenë qenë “lajthitje” nga emocionet para KLP apo kamerave, se ndryshe do më bëjë që “t’i kërkoja” falje ish-hetues dhe kandidatit për deputet të rinisë komuniste Arben Krajës.

Lini një Përgjigje