
Është e vështirë të kuptohet pse udhëheqësit evropianë, veçanërisht ata gjermanë, nuk e panë atë që po vinte, ose më të paku mbyllën sytë para krizës që e ka tronditur prej kohësh sistemin demokratik të Shteteve të Bashkuara...
Udhëheqësit perëndimorë, dhe më në përgjithësi ata të vendeve të G7, nuk kanë qenë kurrë në dakordësi të plotë mbi perspektivat politike. Megjithatë kanë ndarë gjithmonë një kuptim themelor të përkatësisë të tyre në një Perëndim të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo plejadë politike është shpërbërë me rikthimin në pushtet të Donald Trump dhe ndryshimet që janë vënë në lëvizje në Shtetet e Bashkuara (edhe pse fati i NATO-s mbetet për momentin një çështje e hapur).
Nga pikëpamja evropiane, kjo përçarje epokale do të ketë pasoja të mëdha, si për evolucionin ashtu edhe fundin e mundshëm të luftës në Ukrainë, por edhe për nevojën, vullnetin dhe aftësinë e BE-së për të gjetur kompensim në përgjigjen ndaj situatës së re.
Përndryshe, edhe Evropa do të tërhiqet zvarrë në vorbullën e superfuqisë amerikane në rënie. Miopia e pakuptueshme e politikës evropiane, nxjerr në pah marrëdhënien e trishtë midis këtyre dy problemeve.
Është e vështirë të kuptohet pse udhëheqësit evropianë, veçanërisht ata gjermanë, nuk e panë atë që po vinte, ose më të paku mbyllën sytë para krizës që e ka tronditur prej kohësh sistemin demokratik të Shteteve të Bashkuara.
Pasi Uashingtoni nuk bëri asnjë përpjekje për të nisur negociatat dhe shmangur kërcënimin e një sulmi nga Rusia, që kishte vendosur shumë trupa në kufirin me Ukrainën, ndihma ushtarake ishte sigurisht e nevojshme për të siguruar mbijetesën e shtetit ukrainas.
Por mbetet e pakuptueshme se si evropianët, duke u nisur nga supozimi i gabuar se aleanca me Shtetet e Bashkuara do të mbetej e qëndrueshme, ia dorëzuan tërësisht iniciativën qeverisë ukrainase, pa pasur asnjë qëllim të tyren dhe pa asnjë strategji, duke premtuar mbështetje të pakushtëzuar për luftën e Ukrainës.
Me besimin e saj të palëkundur në “unitetin e Perëndimit”, edhe Gjermania ka kryer një gabim politik të pafalshëm, duke e shmangur vazhdimisht sfidën e kahershme të forcimit të kapacitetit të Bashkimit Evropian për veprime ndërkombëtare.
Kjo e bën kaq të vështirë zbatimin e planit për ta forcuar ndjeshëm ushtrinë gjermane në kushtet një klimë armiqësie të fortë ndaj Rusisë. Kështu ushqehen paragjykimet e vjetra. Sepse shqetësimi i menjëhershëm ndaj programit afatgjatë të riarmatimit nuk mund t’i përkasë Ukrainës, e cila sot është veçanërisht në rrezik dhe me të drejtë e alarmuar.
Dhe as një kërcënim i mundshëm rus ndaj vendeve të NATO-s. Qëllimi i tij është të ripohojë dhe mbrojë ekzistencën e një Bashkimi Evropian, që nuk mund të mbështetet më tek mbrojtja e Shteteve të Bashkuara, në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më të paparashikueshëm.
Sjellja e çuditshme e Trump dhe fjalimi konfuz në ceremoninë e marrjes së detyrës patën një efekt të madh, duke shkatërruar madje edhe në vende si Gjermania dhe Polonia, iluzionet e fundit për stabilitetin e Shteteve të Bashkuara dhe rolin e saj si lidere botërore.
Ndërsa Franca thekson nevojën që Bashkimi Evropian të fitojë pavarësinë nga Shtetet e Bashkuara në aspektin e politikës së sigurisë, dhe mund ta bëjë këtë vetëm duke e shtrirë ombrellën bërthamore franceze në të gjithë kontinentin, kryeministri britanik Keir Starmer përsërit premtimin e tij të vakët për mbështetje ndaj Ukrainën me një koalicion prej 30 vendesh pak a shumë “të gatshme”.
Është irritues fakti që Bashkimi Evropian, nuk po luan një rol politikisht të rëndësishëm në negociatat për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë. Janë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, dhe kryesisht Britania dhe Franca, ato që po negociojnë mbi këtë çështje.
Pavarësisht nga rezultati përfundimtar i negociatave, afrimi i SHBA-së me Rusinë, është vetëm një kthesë befasuese në një evolucion gjeopolitik që ka filluar prej disa kohësh, dhe që vetëm sa është përshpejtuar me luftën në Ukrainë.
Pavarësisht nga suksesi i tij i mundshëm, afrimi i Trump me Putinin duket si një pranim se pavarësisht epërsisë së tyre ekonomike, Shtetet e Bashkuara e kanë humbur supremacinë globale, ose të paktën e kanë braktisur pretendimin e tyre për hegjemoninë.
Pasi administrata Trump vuri në dyshim bashkëpunimin politik dhe ushtarak me Evropën, më 4 mars Komisioni Evropian propozoi masa të reja për të rritur investimet në mbrojtje nga vendet e BE-së. Plani, i quajtur ReArm Europe, përfshin dy masa kryesore.
E para është një klauzolë mbrojtëse, që i lejon vendet e Bashkimit Evropian të marrin hua për shpenzime ushtarake pa e shkelur Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes, që përmban rregulla strikte mbi politikat buxhetore.
Përjashtimi do të jetë i vlefshëm për një shumë maksimale prej 650 miliardë eurosh për një periudhë 4-vjeçare, dhe duhet t’i lejojë shtetet individuale të rrisin mesatarisht shpenzimet ushtarake me 1.5 për qind të PBB-së.
Masa e dytë, parashikon krijimin e një fondi prej 150 miliardë eurosh, nga i cili vendet e BE-së do të mund të marrin kredi për të financuar shpenzimet ushtarake. Drita e fundit jeshile duhet të vijë nga mbledhja e Këshilli Evropian që do të mbahet në qershor.
Shtetet e bllokut, duhet të forcojnë dhe mbi të gjitha të bashkojnë forcat e tyre ushtarake, përndryshe nuk do të llogariten më politikisht në një botë të tronditur nga turbullirat gjeopolitike dhe në proces shpërbërjeje.
Vetëm me një bllok të aftë për politikë të pavarur, vendet evropiane mund të përdprin kolektivisht peshën e tyre ekonomike në mbështetje të bindjeve dhe interesave të tyre të ligjshme. Për arsye të kuptueshme historikisht, vendet më pak të gatshme për të ndërmarrë këtë hap, janë pikërisht vendet e reja por edhe jo fort të reja në pjesën lindore dhe verilindore të bllokut.
Prandaj, edhe në këtë rast sfida duhet të përballohet mbi të gjitha nga bërthama historike e BE-së, sikurse është Gjermania e Friedrich Merz. Por nga ana tjetër, është shqetësues fakti se qeveria gjermane, që po ndërmerr një riarmatim të paprecedentë të vendit, po merr mbështetje nga qarqe të caktuara, me synim ringjalljen e një mentaliteti ushtarak që me të drejtë ka qenë i vjetruar.
Ideja mbi të cilën u ndërtua dhe u zgjerua Republika e vjetër Federale e Gjermanisë duhet të mjaftojë për ta justifikuar këtë rezervë: çfarë do të ndodhte me Evropën nëse shteti më i populluar dhe më i fuqishëm ekonomik i kontinentit, do të bëhej gjithashtu një fuqi ushtarake superiore ndaj të gjithë fqinjëve të saj, pa një angazhim kushtetues të detyrueshëm për një politikë të përbashkët të mbrojtjes dhe të jashtme, të bazuar në vendimet e shumicës?/Pamfleti nga “Süddeutsche Zeitung”
Shënim: Jürgen Habermas, filozof gjerman, një nga përfaqësuesit eksponentët kryesorë të Shkollës së Frankfurtit.
Lini një Përgjigje