TAGS-AT E JAVËS

Forum 4 Prill 2025, 14:15

Putin e sheh Trumpin si një fëmijë që manipulohet lehtë

Shkruar nga John Haltiwanger

 

Putin e sheh Trumpin si një fëmijë që manipulohet lehtë
Donald Trump & Vladimir Putin /

Nuk mund të kemi besim në vullnetin apo aftësinë e presidentit për t’i bërë ballë Putinit. Ai e admiron shumë presidentin rus. Ai ka frikë prej tij për arsye që ne nuk i kuptojmë plotësisht. Ndoshta është thjesht natyra e dashurisë së tij për diktaturën apo dashuria e Trump për paratë dhe shpresa për të pasur një ditë një “Kullë Trump” edhe në Moskë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po ushtron presion për një përfundim të shpejtë të luftës në Ukrainë. Në këtë kuadër, ai e ka sulmuar shpesh presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky - përfshirë një takim plot tension në Zyrën Ovale - dhe administrata e tij e pezulloi përkohësisht ndihmën dhe ndarjen e inteligjencës me Kievin.

Nga ana tjetër, Trump dhe këshilltarët e tij i kanë bërë shpesh jehonë argumenteve të Kremlinit për luftën, duke i nxitur kritikët ta akuzojnë Shtëpinë e Bardhë se është përkrah Moskës. Ky model u duk se ndryshoi paksa ditët e fundit, kur Trump tha se është i zemëruar me presidentin rus Vladimir Putin, duke kërcënuar se do të vendosë tarifa dytësore për naftën ruse, për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet mbi arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

Por senatori demokrat Adam Schiff, një nga kritikët më të ashpër të presidentit në Capitol Hill, thotë në një interviste për “Foreign Policy”, se Trump vetëm sa po “shtiret si i zemëruar” me Putinin.

Putin e sheh Trumpin si një fëmijë që manipulohet lehtë
Adam Schiff /

Ai mendon se “Putin e sheh Trumpin si “një fëmijë që mund të kontrollohet dhe manipulohet lehtësisht”. Schiff është një demokrat nga Kalifornia. Ai ka qenë prokurori kryesor në procesin e shkarkimit të Trump (impeachment) gjatë mandatit të tij të parë.

Cili është qëndrimi juaj mbi qasjen e deritanishme të Trump ndaj arritjes së një marrëveshjeje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë?

Ai e nisi këtë përpjekje me tradhtinë e plotë të Ukrainës. Është shfaqja më e turpshme në politikën e jashtme amerikane ndër dekada: trajtimi i turpshëm që ai i ka bërë Zelenskyt dhe aleatëve tanë ukrainas, pezullimi i ndihmës ushtarake dhe inteligjencës.

Dhe kjo për shkak të simpatisë së tij për Rusinë dhe diktatorin e Kremlinit. Është e pabesueshme lehtësia me të cilën Kremlini, po manipulon si Trump ashtu edhe të dërguarin e tij Witkoff. Të dëgjosh sesi ky i fundit e lëvdon Putinin është e turpshme dhe naive.

Tani presidenti po shtiret sikur është zemëruar me Rusinë. Ai nuk ka asnjë lloj besueshmërie. Kërcënimet e tij për tarifa ndaj Rusisë nuk kanë peshë. Sepse gjithçka që duhet të bëjë Putin, është të thotë disa gjëra që i pëlqejnë Trumpit, dhe ky i fundit mund të ndërrojë në çast qëndrimin.

Nuk mund të kemi besim në vullnetin apo aftësinë e presidentit për t’i bërë ballë Putinit. Ai e admiron shumë presidentin rus. Ai ka frikë prej tij për arsye që ne nuk i kuptojmë plotësisht. Ndoshta është thjesht natyra e dashurisë së tij për diktaturën apo dashuria e Trump për paratë dhe shpresa për të pasur një ditë një “Kullë Trump” edhe në Moskë.

Pra mund të thuhet se Putin po luan lojëra me Trumpin?

Putin e sheh Trumpin si një fëmijë që mund të kontrollohet dhe manipulohet lehtësisht, dhe mjerisht ai ka të drejtë në këtë analizë.

Duke lënë mënjanë qasjen e Trump, a është koha t’i jepet fund luftës në Ukrainë, dhe me çfarë kushtesh?

Ne të gjithë duam fundin e luftës, por kushtet kanë një rëndësi të madhe. Ne s’duam që ajo të përfundojë me heqjen dorë nga Ukraina të sovranitetit apo integritetit të saj territorial. Mënyra për të arritur një paqe kuptimplote që pengon agresionin e mëtejshëm rus, nuk është duke e sulmuar Ukrainën dhe frenuar mbështetjen ushtarake, diplomatike dhe të inteligjencës.

Por duke i ofruar një mbështetje më të fortë, dhe duke ia bërë të qartë Rusisë se po zhvillon një luftë humbëse, e cila do të bëhet më penalizuese për të sa më gjatë që të vazhdojë. Ne si SHBA, po ndjekim qasjen e gabuar në raport me një fund të përgjegjshëm të luftës, dhe po i japim me shumë shanse Rusisë që të ketë sukses në objektivat e saj.

Administrata thotë se Kina është kërcënimi ynë kryesor, dhe ne duhet të bëjmë më shumë për të forcuar Tajvanin dhe forcuar parandalimin e një pushtimi të mundshëm. Por gjithçka që po bëjnë për ta dëmtuar Ukrainën, ka minuar edhe mekanizmat parandalues ndaj Kinës.

Kina duhet ta kuptojë tani se me Trumpin president, SHBA nuk është gjë tjetër veçse një komb transaksional. Dhe do e shohin Tajvanin, ashtu siç Trump e sheh Ukrainën: a kanë ata ndonjë gjë me vlerë ekonomike që ne mund ta zhvatim? Përndryshe do mbeten vetëm.

Kohët e fundit keni postuar një video ku thoni se Witkoff është “Sekretari i Shtetit i vërtetë”. Pse mendoni se ai është i rrezikshëm?

Kryesisht sepse nëse i shihni deklaratat e tij, Witkoff është plotësisht i mashtruar nga Putini. Ai beson se Putin është një lider që mund t'i besohet, se ai e mban fjalën, se dëshiron paqen. Ndërkohë pikëpamja e Putinit për Trumpin, është ajo e mjeshtrit dhe kukullës.

Ndërsa ata po përpiqen të inkurajojnë negociatat, ai po e dëmton Ukrainën duke e fajësuar atë për fillimin e luftës, dhe duke sugjeruar se referendumet e rreme ishin disi të pranueshme. Ajo që po bën është katastrofike për politikën tonë të jashtme, dhe është e qartë se ai ka një rol shumë më të madh sesa Sekretari i Shtetit, si në Lindjen e Mesme ashtu edhe në Rusi.

Shtëpia e Bardhë, thotë se është koha për të ecur përpara, dhe skandali “Signalgate” është një çështje e mbyllur. Në fakt, ajo përbën ende një shqetësim të madh në Uashington për të dyja partitë që bëjnë thirrje për hetime. Kush duhet ta hetojë këtë çështje?

Kongresi duhet të kryejë një hetim. Dhe ne duhet të kemi një inspektor të përgjithshëm të pavarur për këtë çështje. Por unë nuk e di nëse ekziston më ky post në administratën Trump. Sigurisht, që nuk duhet të hetohet nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Mike Waltz ose dikush tjetër që ishte i përfshirë në sjelljen e pahijshme. Por mbeten ende goxha pyetje pa përgjigje, dhe më e rëndësishmja prej të cilave është: Sa biseda të tjera si kjo kanë ndodhur në një aplikacion komercial të pasigurt? Mendoj se duhet të supozojmë, se disa nga këto biseda mund të jenë përgjuar nga kundërshtarët tanë. Dhe çfarë duhet të bëjmë tani për të mbrojtur burimet që mund të jenë ekspozuar? Asnjë nga këto gjëra nuk mund të bëhet nga njerëzit që janë të implikuar në këtë çështje./Pamfleti nga ”Foreign Policy”

putin trump fëmijë

Lini një Përgjigje