TAGS-AT E JAVËS

Forum17 Maj 2025, 08:55

Samit pati, por jo për Shqipërinë!

Shkruar nga Pamfleti

Ndërkohë që në mediat ndërkombëtare vlon debati mbi riformësimin e BE-së, Ukrainën, mungesën e qartësisë në marrëdhëniet me SHBA, kërcënimet reale të sigurisë dhe fragmentimin politik të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri lajmi kryesor ishin batutat e Ramës, atletet që kishte veshur, dhuratat për liderët dhe video të stisura me inteligjencë artificiale. 

Samit pati, por jo për Shqipërinë!
Liderët e BE në Tiranë/ Getty Images

Tirana u kthye për një ditë një vendtakim i liderëve europianë, në një samit që në letër ngjante si ngjarje historike për vendin. Por në realitet, Shqipëria nuk ishte më shumë se një sfond i dekoruar mirë, një skenë protokollare ku të tjerët folën për sigurinë, luftën, krizën dhe të ardhmen e kontinentit, ndërsa ne u mjaftuam të jemi organizatorë të zellshëm, por pa zë dhe pa rol.

Përtej tapetit të kuq, fotove zyrtare dhe buzëqeshjeve të sforcuara, nuk pati asnjë përfitim konkret për Shqipërinë, as një projekt të ri, as një strategji rajonale që na përfshin, as ndonjë angazhim të qartë për reformat që na kërkohen. Asnjë dokument, asnjë deklaratë, asnjë iniciativë që të mbante emrin tonë. Dhe ajo që është më shqetësuese: asnjë zyrtar, asnjë institucion, asnjë ministër nuk e ndjeu për detyrë të komunikojë me qytetarët se çfarë do të thotë ky samit për vendin tonë, për sigurinë tonë, për rrugën tonë drejt Europës.

Ndërkohë që në mediat ndërkombëtare vlon debati mbi riformësimin e BE-së, Ukrainën, mungesën e qartësisë në marrëdhëniet me SHBA, kërcënimet reale të sigurisë dhe fragmentimin politik të Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri lajmi kryesor ishin batutat e Ramës, atletet që kishte veshur, dhuratat për liderët dhe video të stisura me inteligjencë artificiale. Ndërkohë që në samit flitej për sfida historike, këtu pushtetin e mbajti spektakli mediatik.

Ky është realiteti ynë, një qeveri që ka ngritur një sistem propagandistik aq të përkryer sa arrin të paraqesë çdo ngjarje ndërkombëtare si sukses të brendshëm e personal, edhe kur nuk ka asnjë përfitim për Shqipërinë.

Gjithashtu me një opozitë të përçarë dhe të vjetëruar, që nuk guxon të analizojë thelbin por vazhon me avazin që iu vodhën votat kur diferenca ishte me 30 mandate në Kuvend.

Në samit Ballkani Perëndimor u përmend si shqetësim, por jo si prioritet. Shqipëria u përfshi në protokoll, por jo në përmbajtje. Ndërsa rajoni përmbytet nga kriza politike, emigracion masiv, polarizim dhe mungesë reformash të thella, Tirana zyrtare u mjaftua të shijojnë pushtetin dhe jehonën në mediat e huaja.

Në vend që të jemi një faktor aktiv dhe pjesë thelbësore e zgjidhjeve për çështjet që na prekin, vijojmë të mbetemi një vend pasiv që pret zgjidhje të gatshme nga jashtë, pa marrë iniciativa reale apo përgjegjësi të brendshme për të ndikuar rrjedhën e zhvillimeve. Kemi krijuar një ndjenjë të rreme vetëkënaqësie që mbështetet kryesisht në perceptimin ndërkombëtar për vendin, por në të vërtetë nuk arrijmë të prodhojmë përmbajtje domethënëse, vizion të qartë apo qëndrime të konsoliduara që do t’i jepnin peshë këtij imazhi.

Ne ndodhemi fizikisht në tryezat ndërkombëtare dhe në zhvillimet rajonale, por mungesa e përfaqësimit efektiv dhe e pozicionimit të qartë na bën të padukshëm politikisht, pa ndikim real në proceset ku marrim pjesë. 

Por teksa bota po ndryshon me ritme të frikshme, pasi çdo kohë kemi luftra, kërcënime të reja për sigurinë dhe demokracinë, në Shqipëri ne e kemi shndërruar krizën në spektakël dhe spektaklin në stil qeverisjeje.

Në këtë samit u dëgjua Europa dhe hallet saj, Shqipëria thjesht priti, përcolli, buzëqeshi dhe më pas u vetëlavdërua për mikpritjen./ Pamfleti

samiti shqipËri macron rama merz keir starmer tirana

Lini një Përgjigje