TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Maj 2025, 15:15

Nga Sala te Saliu, nga Saliu te kotësia, nga kotësia e tek asgjëja!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Nga Sala te Saliu, nga Saliu te kotësia, nga kotësia e tek

Pse Saliu, tani e beson që ai është fituesi i zgjedhjeve të vitit 2025?

Na mundi grupi kriminal që na grabiti votat, thotë Saliu, por asnjë nuk e beson.

Po Saliu pse e thotë?

Po ky është rast i njohur në psikologjinë e individëve të shthurur: sepse në fakt këtë, është Sala që ia thotë Saliut; dhe Saliu me këtë lajm kërkon të qetësojë përkrahësit e tij.

Po grupin kriminal ku e ka parë Saliu?

Jo, grupin kriminal që ka vjedhur votat e Saliut e ka parë Sala dhe ai ia ka thënë Saliut.

Po Sala ku është, pse nuk ua thotë hapur shqiptarëve ai këtë lajm?

Jo, se Sala flet vetëm me Saliun dhe Saliu u drejtohet përkrahësve e tij, prandaj përkrahësit duhet të besojnë Saliun.

Domethënë kjo është jeta e vërtetë e Saliut: nga Sala te Saliu dhe nga Saliu te përkrahësit e tij?

Po, kjo është jeta e vërtetë mendore e Saliut: nga Sala te Saliu. Sepse ky është raporti magjik i Berishës - nga Sala te Saliu, e mandej nga Saliu te përkrahësit e tij.

Por a mjafton vetëm ky raport që Saliu të fitojë zgjedhjet?

Jo, ky nuk është raporti ku Saliu fiton zgjedhjet, ky është raporti psikologjik ku Sala qetëson Saliun dhe Saliu vijon jetën si fitues i zgjedhjeve të vitit 2025, si gjithmonë.

Pse Saliu, tani e beson që ai është fituesi i zgjedhjeve të vitit 2025?

Po, Saliu ashtu e di, sepse Saliu beson vetëm Salën dhe që të dy ndihen fitues, por fitoren ua ka vjedhur Rama.

Por Shqipërinë nuk e drejton Sala me Saliun, atë e drejton Rama. Nuk e di Saliu këtë.

Po, Rama e drejton Shqipërinë, por kjo nuk vlerësohet nga Saliu, sepse ai beson vetëm Salën.

Domethënë, prandaj Saliu del e flet me sokëllima, sepse ai e beson që i ka fituar zgjedhjet dhe lajmin ia ka dhënë Sala që atij ia ka vjedhur këto zgjedhje Rama dhe Saliu beson vetëm Salën.

Jo, duhet ta shpjegojmë më qartë, se çështja është kështu: Sala e di që i ka humbur zgjedhjet, por ai gënjen Saliun dhe i thotë se ai i ka fituar zgjedhjet, por votat ia ka grabitur Rama.

Tani e kuptova të gjithë fenomenin Sali: domethënë - Sala gënjen Saliun dhe i thotë Saliut se ai i ka fituar zgjedhjet e vitit 2025, por votat ia ka vjedhur Rama dhe Saliu qetësohet, sepse këtë ai ua thotë përkrahësve të tij dhe ata e besojnë. Por pyetja është kjo: meqë përkrahësit e besojnë dhe ata janë disa mijëra, a do bëjë dot Saliu kryengritje me ta?

Jo! Sepse Sala këtë ia kërkon Saliut që bashkë të bëjnë kryengritje për të rrëzuar Ramën, por Saliu që e di se ajo është rrugë pa pakrye dhe me rrezik për të, e shtyn Salën me shpresë nga e marta në të martë e nga muaji në muaj dhe Sala pret kryengritjen e Saliut, por kjo kryengritje nuk vjen kurrë se Saliu ka frikë.

Domethënëse kjo është vetë jeta e Saliut: nga Sala te Saliu, nga Saliu te kotësia e nga kotësia e tek asgjëja?

Po kjo, pikërisht kjo është jeta tanishme e Saliut: nga Sala te Saliu, nga Saliu te hiçi e nga Hiçi tek Asgjëja.

E pra, si mjerë përkrahësit e Saliut që po presin me shpresë e po kalojnë gjithmonë, në 12 vite rresht, nga hiçi tek asgjëja!

Lini një Përgjigje