TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Dhjetor 2025, 12:58

Rënia e Perëndimit: Pse viti 2026 mund të jetë pika e moskthimit

Shkruar nga Francis Dearnley
Rënia e Perëndimit: Pse viti 2026 mund të jetë pika e
Harta e përplasjes Ukrainë- Rusi /

Dobësia evropiane ndaj Ukrainës dhe varësia e tepërt nga Trumpi na kanë lënë ne evropianëve të ekspozuar në mënyrë të rrezikshme ndaj skenarëve më të këqij. Një katastrofë më e madhe mund të jetë në horizont…

Javën e fundit të punës para Krishtlindjeve, udhëheqësit e Bashkimit Evropian u mblodhën për atë që u cilësua si një samit historik. Frazat e njohura u përsëritën siç duhet: “Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e paqes!” - këmbëngulën ata, ndërsa dhanë sinjale pozitive për përparimin e bisedimeve dhe pranimin e Kievit në BE.

Megjithatë, prapa kësaj retorike, disa prej tyre - ca të lidhur hapur me Moskën, të tjerët të paralizuar nga frika - u tërhoqën. Rezultati nuk ishte vendosmëria, por ekspozimi: një Evropë e ndarë se si të përballej me luftën që po riformësonte të ardhmen e saj.

Pra, asgjë nuk ndryshoi në thelb. Nëse ky ju duket si takimi i BE-së javën e kaluar – ku Brukseli dështoi të zhbllokonte asetet shtetërore ruse të ngrira, humbi një shans të rrallë për të dëmtuar seriozisht Moskën dhe në vend të kësaj i detyroi taksapaguesit evropianë të paguanin për një kredi prej 90 miliardë dollarësh për Ukrainën – do të gaboheni.

Sepse tani po ju përshkruaj një samit të mbajtur plot një vit më parë, në dhjetor 2024. Në atë kohë paralajmërova se, pavarësisht sinjaleve të qarta se një presidencë e dytë e Trumpit ishte një mundësi reale, Evropa - përfshirë Britaninë - kishte dështuar të zhvillonte një strategji serioze dhe të pavarur për sigurinë e saj.

Nuk pati asnjë riarmatim të shpejtë, asnjë konsolidim të qëndrimit përkrahës ndaj Ukrainës, asnjë “vijë të kuqe” të vizatuar ndaj Rusisë për të penguar rezultatet më të këqija. Fati i Evropës - dhe i Ukrainës - mbeti i lidhur me vullnetin e mirë të një aleati që, siç argumentova në një artikull të asaj kohe, “mund të provohet shumë shpejt se nuk është i besueshëm”.

Dymbëdhjetë muaj më vonë, pasojat e këtij dështimi kanë qenë më të rënda nga sa shumë e kishin imagjinuar. Një Rusi akoma më shumë e trimëruar, e mbështetur nga qilimi i kuq i shtruar për Putinin nga Trumpi në samitin katastrofik të Alaskës, është haptazi e joshur të gllabërojë një pjesë të mirë të Evropës.

Sulmet hibride janë shtuar, duke kulmuar me një ndërhyrje me dronë në hapësirën ajrore polake, që e detyroi NATO-n të angazhohej për herë të parë drejtpërdrejt kundër Rusisë në historinë e aleancës. Ndërkohë, duke e ndjerë këtë dobësi, Shtëpia e Bardhë ka poshtëruar vazhdimisht ish-aleatët e saj evropianë, ndërsa sinjalizon një oreks të qartë për afrimin me Moskën.

Vitin e kaluar shkrova se Evropa “nuk i kishte lënë vetes zgjidhje tjetër veçse të kërkonte një mrekulli festive nga përtej Atlantikut”, duke i varur shpresat e saj te një paqe e negociuar me Putinin.

Kjo shpresë mbështetej në një supozim të vetëm dhe të brishtë: që Rusia do të negocionte me mirëbesim. “Ajo që askush nuk duket se po pyet është: çfarë ndodh nëse nuk e bën këtë?” - shkrova atëherë. Kjo pyetje mbetet ende sot e nënvlerësuar në mënyrë të rrezikshme.

Pavarësisht provave dërrmuese se Putini nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës ndaj Ukrainës pa u plotësuar kërkesat e tij - kërkesa që do të shkatërronin sovranitetin ukrainas dhe do të dobësonin përgjithmonë sigurinë evropiane - një iluzion kokëfortë vazhdon në shumë kryeqytete: se lufta do të përfundojë së shpejti; se një marrëveshje e keqe e imponuar ndaj Kievit mund të jetë e pranueshme dhe e tolerueshme; apo se ruajtja e nivelit të sotëm të mbështetjes do ta çojë përfundimisht Rusinë drejt një armëpushimi.

Është e vërtetë që ekonomia e Rusisë është nën presion dhe është e mundur që Putini në një moment të vendosë ta ndërpresë luftën e tij. Por historia na ofron pak ngushëllim. Regjimet që kalojnë me sukses në një ekonomi lufte rrallë shkëputen vullnetarisht prej saj.

Në fakt, shpenzimet ushtarake të Kremlinit janë rriter ndjeshëm, industria e tij është rikalibruar dhe, ndonëse ky model nuk është i qëndrueshëm për një kohë të pacaktuar, ai gjeneron stimuj të fuqishëm për të vazhduar.

Lufta premton jo vetëm përfitime strategjike, por edhe lehtësim financiar – borxhe të shtyra ose të shlyera përmes pushtimit. Kjo është edhe arsyeja pse paralajmërimet e lëshuara nga shefat e inteligjencës në të gjithë Evropën kërkojnë vëmendje urgjente. Nuk ka asnjë shenjë që Moska synon të ulë tensionet, qoftë në Ukrainë, qoftë në fushatën e saj të frikësimit kundër Evropës. Disa vlerësime shkojnë më tej, duke sugjeruar se Rusia tashmë po heton përtej Ukrainës - veçanërisht në shtetet baltike – duke vënë në provë vendosmërinë e NATO-s, duke gërryer besimin te Neni 5 dhe duke vënë bast se Evropa do të hezitojë nëse Rusia do të prodhojë një krizë atje, duke dërguar fillimisht “njerëz të vegjël me uniforma jeshile” dhe më pas trupa të rregullta, siç bëri më parë në Ukrainën Lindore, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të jenë të fokusuara diku tjetër.

Në kushtet kur besueshmëria e SHBA-së si aleate nuk është më e sigurt, bota që brezat e evropianëve e kanë marrë si të mirëqenë ka marrë fund. Në këtë kuptim, viti 2025 mund të mbahet mend si viti kur “Perëndimi” pushoi së funksionuari si një koncept politik kuptimplotë.

Vizioni i Udrou Uillsonit për një “bashkësi fuqish” demokratike, është zëvendësuar nga diskutimet për “sferat e ndikimit”. Kjo gjuhë, ia lë terrenin moral regjimeve autoritare dhe e legjitimon pushtimin aty ku askush nuk do të duhej ta lejonte asnjëherë.

Sepse ky është thelbi i gjithë kësaj: T’u mohosh njerëzve të drejtën për të zgjedhur të ardhmen e tyre - siç duket se bëjnë bisedimet aktuale të paqes - do të thotë të braktisësh vetë demokracinë.

Ukrainasit e bënë zgjedhjen e tyre në kutitë e votimit. Putini nuk ka të drejtë ta përmbysë atë me forcë, përveçse nëse ne jemi të kënaqur të kthehemi te rregullat e shekullit XIX. Dhe ky është rreziku më i madh: jo thjesht një luftë me Rusinë në izolim, por një luftë e ardhshme - ndoshta me Kinën - e lindur nga erozioni i qëllimshëm i parimeve që ruajtën paqen për dekada të tëra.

Në fund të artikullit tim të vitit të kaluar, paralajmërova se në vitin 2025 Rusia mund t’i refuzonte plotësisht negociatat ose të pretendonte se kishte mirëbesim, ndërkohë që i zvarriste ato. Në fund, Putini i bëri të dyja - duke vënë bast se padurimi amerikan do të bënte pjesën tjetër.

Skenari më i mirë ishte që keqbesimi i Moskës më në fund do të zbulohej, duke e nxitur Uashingtonin të dyfishonte mbështetjen për Ukrainën. Sot, kjo duket pothuajse e pamundur. Ndryshimi ideologjik në Shtetet e Bashkuara është shumë i thellë. Thuajse çdo ditë, Donald Trumpi lavdëron “marrëdhënien e tij të mirë” me Vladimir Putinin, ndërsa rrallë humbet rastin për të kritikuar presidentin ukrainas Zelenski.

Kjo që po shohim të shfaqet, është pa asnjë dyshim një botë e re. E mbylla artikullin e vitit të kaluar me një paralajmërim për koston e mosveprimit: nëse heq dorë nga parimet, atëherë heq përfundimisht dorë nga territori, “dhe njerëz të pafajshëm do të vdesin”. Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur që atëherë. Edhe më shumë do të vdesin vitin e ardhshëm në rast se nuk ndryshon asgjë. Dhe një ditë, mund të mos jenë njerëz të pafajshëm në një “vend të largët”, por bijtë dhe bijat tona që do të paguajnë çmimin për dështimin tonë për të vepruar ndërsa ishim ende në kohë./Përshtati Pamfleti nga “Daily Telegraph”

rënia e perëndimit 2026

Lini një Përgjigje