Është thelbësore që ne ta refuzojmë dhunën në të gjitha format e saj, dhe të ruajmë me çdo kusht paqen dhe civilizimin në politikën tonë...
Ekziston vetëm një leksion që mund të nxirret nga përpjekja e neveritshme e të shtunës për të vrarë ish-presidentin amerikan Donald Trump gjatë një tubim elektoral në shtetin e Pensilvanisë: Vrasja e politikanëve është gjithmonë një veprim i gabuar.
Pavarësisht çfarë mendimi mund të ketë gjithsecili prej nesh mbi politikën lokale apo kombëtare, mbi një parti të caktuar apo sjelljen e saj, një akt brutal dhune nuk është zëvendësues i demokracisë së qytetëruar. Në 50 vitet e mia në politikë, kujtoj se ato dekada kanë qenë të mbushura me lajme të papritura dhe dramatike të atentateve të ndryshme.
Më kujtohet se në moshën 12-vjeçare isha ulur në sallën e mbledhjeve në shkollë, kur mësuesi ynë na tha se presidenti amerikan Robert F.Kennedy ishte vrarë gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 1968. Ajo ishte hera e parë që mësova mund të ndodhte se diçka e tillë.
Disa vite më vonë, më 1981-shin, Ronald Reagan u qëllua dhe u plagos rëndë ndërsa ishte president i SHBA-së. Mjerisht, ka pasur shumë incidente të tilla dhe shumë vdekje: ndaj Anwar Sadat, kryeministrit të Egjiptit në vitin 1981; Indira Gandhit, ish-kryeministre e Indisë, në vitin 1984.
Po ashtu, në vitin 1995 u vra kryeministri izraelit Yitzhak Rabin; ndërsa në vitin 2007 mikesha ime, presidentja e Pakistanit Benazir Bhutto. Që të gjithë këta njerëz humbën jetën në shërbim të vendeve të tyre përkatëse, të vrarë gjatë një përmbysjeje cinike të procesit demokratik.
As ne këtu në Britaninë e Madhe nuk jemi të imunizuar nga ky fenomen tejet i rrezikshëm.
Kështu në dekadën e kaluar kemi parë vrasjen e dy deputetëve: laburistes Jo Cox në vitin 2016 në prag të referendumit mbi Brexit, dhe politikanin e Partisë Konservatore David Amess në vitin 2021.
Dukuria nuk kufizohet në asnjë vend, parti, ideologji apo pikëpamje të caktuar. Ajo është po aq e pakuptimtë dhe kaotike, sa edhe individi që e kryen veprën. Të shtunën e shkuar në Pensilvani, ndodhi diçka e ngjashme. Nëse plumbi do të ishte vetëm 1 centimetër pak më në të djathtë, një ish-president dhe kandidat aktual presidencial nga radhët e republikanëve, ka të ngjarë të kishte humbur jetën.
Dhe ndoshta bota do të dukej sot shumë ndryshe. Askush, pavarësisht nga pikëpamjet e tij mbi karrierën e Donald Trump si politikan, nuk duhet të fiksohet pas mendimeve të tipit “Po sikur...”. Pavarësisht nga pikëpamjet tuaja personale, vrasjet politike të këtij lloji nuk janë kurrë zgjidhje.
Për hir të ruajtjes së qetësisë dhe rendit publik, fleta e votimit duhet të vijë gjithmonë para plumbave.
Ne duhet të përdorim fjalët dhe idetë, për t’i bindur ata me të cilët nuk pajtohemi për pikëpamjet tona, dhe jo dhunën dhe detyrimin. Një kryq mbi një copë letër, ka jo vetëm fuqinë për të ndryshuar botën, por edhe për ta mbajtur atë të sigurt dhe të denjë.
Është thelbësore që ne ta refuzojmë dhunën në të gjitha format e saj, dhe të ruajmë me çdo kusht paqen dhe civilizimin në politikën tonë. Nuk mund të lejojmë kurrsesi që të fitojë frika. Ne s’mund të lejojmë që brutaliteti ta zëvendësojë demokracinë. Dështimi për t’i mbështetur ato ideale, dhe për t’u dorëzuar para ligësisë dhe frikës, do të zhyste të gjithë botën në një vuajtje të madhe./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Shënim: Sër Alan Duncan, ka qenë Ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe në vitet 2016-2019.
Lini një Përgjigje